Të jesh për vete në hall, por t’u qash hallin të tjerëve. Kjo ka ndodhur me Edgar Çanin, që pasi u la jashtë skuadrës nga trajneri Skënder Gega për ndeshjet e Europa League dhe mes presionit të klubit Partizani për të prishur kontratën, në fakt e ka mendjen te… Bari.
Klubi i famshëm, nuk arriti të regjistrohej në Serinë B italiane për shkak të borxheve dhe i tha lamtumirë futbollit profesionist për herë të parë në 110 vjet histori. Një lajm i trishtuar, që preku edhe Edgar Çanin, edhe pse sulmuesi ka luajtur vetëm për një sezon në stadiumin “San Nikola”, kur në vitin 2014 u dha në formë huazimi nga Katania.
Madje Çani ishte një prej atyre lojtarëve që e kanë vuajtur krizën financiare të ekipit, mes pagesave të padhëna dhe negociatave të dështuara ndër vite për shitjen e klubit te investitorë seriozë. Në profilin zyrtar në “Instagram”, 28-vjeçari shkruante: “Bari meriton më tepër”.
Por, më shumë sesa për Barin, Edgar Çani duhet të mendojë për veten. Kjo për faktin se nëse nuk prish kontratën me Partizanin dhe nuk gjen një skuadër të re, edhe sulmuesi që ka luajtur në nivelet më të larta në Itali, Angli e Poloni, do ta shohë veten në kategoritë e ulëta shqiptare me ekipin e dytë të kryeqytetasve. Edhe Edgari kërkon një zgjidhje, me shpresën se nuk do të përfundojë si Bari…