Kapiteni i Romës, Daniele De Rosi, dha një intervistë të gjatë për kanalin zyrtar të Romës. Ai foli në lidhje me përgatitjet e skuadrës për sezonin e ri, por dhe për merkaton e Seria A-së. Sigurisht, vëmendjen kryesore e mori kalimi i Kristiano Ronaldos te skuadra e Juventusit.
“Është një përfitim për kampionatin dhe gjithashtu për Juventusin. Ata synojnë më shumë, dhe pse kanë fituar 7 kampionate radhazi. Juventusi synon më lart, por në futboll asgjë nuk i dihet, por duhet ta pranojmë se ata e nisin kampionatin 2-3 hapa para të tjerëve. Me një lojtar të tillë si Ronaldo, ‘Zonja e vjetër’ e ka vrarë sërish kampionatin dhe synon fitimin e Champions League”.
Kapiteni foli dhe për afrimet e fundit të Romës. “Unë jam i afërt me Sirigun dhe Verratin, ata më kanë folur gjithmonë mirë për Pastoren. Ai është shumë i mirë dhe i sjellshëm, është i fortë, por do i duhet pak kohë që të kthehet në futbollin italian. Në Francë ka më pak konkurrencë. Pastore po punon fort, pavarësisht se është e vështirë të dalësh nga kontrolli i vazhdueshëm i topit te pasat vertikale. Trajneri po punon fort me të”, – u shpreh kapiteni.