Kupa e Botës është në mbarim, ndërsa kampionatet kryesore të Evropës nga Anglia në Itali, apo Francë presin momentin kur do të kthehet sërish vëmendja drejt tyre. Për të mos zhgënjyer, skuadrat kanë nisur nga fazat e tyre përgatitore. Në kampet ku stërviten, ata kanë mundësi të zhvillojnë dhe ndeshje miqësore. Kompanitë që merren me organizimin e këtyre kampeve gjejnë dhe kundërshtarët për këto ndeshje, shpeshherë në disbalanca të frikshme. Dita e sotme dhuroi rezultate të çuditshme dhe rekorde interesante.
“Keqtrajtuesi” Evertoni nuk u lodh duke shënuar ndaj ekipit modest të Irdning. Të mërzitur nga eliminimi i kombëtares nga Botërori, anglezët shënuan plot 22 gola në portën e austriakëve. Shënuesit nuk po i themi se do të qëndronim deri nesër për t’i shkruar. I rëndësishëm është fakti që Mirales, Tosun, apo Lukman dolën golashënues të frikshëm. Arsenali iu kundërpërgjigj kundërshtarëve me 8 gola kundër Boreham Ud.
Nga krahu tjetër, nuk mund të mungonin ekipet italiane. Fiorentina tregoi “dhëmbët” kundër Borgo a Baxhiano (ekip amator në Itali) duke i shënuar plot 17 gola. Sampdorian e zuri inati dhe i shënoi 15 gola Selero Novelës. Xhenoa dhe Parma u kursyen, pasi detyruan kundërshtarët amatorë të nxirrnin vetëm 13 herë topin nga rrjeta.