Çarls Atsina është zyrtarisht futbollist i Kastriotit. Sulmuesi ganez kishte gjetur marrëveshjen me klubin krutan dhe sot është zyrtarizuar, pasi ka firmosur kontratën që do ta mbajë për një sezon në Krujë.
Sulmuesi 29-vjeçar e nisi me Vllazninë sezonin e shkuar, duke shënuar 2 gola në Kukës, por në pjesën e dytë të sezonit u shpall i panevojshëm te Vllaznia.
Situatë e ndërlikuar, me sulmuesin që kishte kontratë sezonale, ndaj Atsina mbeti pa futboll për disa muaj, ndërsa tani firmos te Kastrioti, ku pritet të jetë titullar në sulm, pasi eksperienca nuk i mungon, duke qenë se ka luajtur në Itali, Spanjë e deri në Lituani e Finlandë, edhe pse jo në nivele të larta.
Ndërkaq, Kastrioti ka firmosur edhe me dy malazezë: mbrojtësin Nikola Stijepoviç dhe sulmuesin Igor Poçek.
I pari është një goditje e shkëlqyer në teori, sepse bëhet fjalë për një mbrojtës 24-vjeçar, ish-anëtar i Malit të Zi U21 dhe lojtar kyç te Sutjeska prej 7 vitesh, duke fituar edhe tre tituj kampionë. Vetëm sezonin e fundit Stijepoviç pati një problem që e la jashtë nga shtatori deri në mars, ndaj kalimi në Shqipëri duket edhe si një tentativë për të kapur sërish maksimumin duke luajtur rregullisht.
Ndërkaq, Poçek është një objekt misterioz, sepse sulmuesi 23-vjeçar vjen nga gjysmë sezoni pa asnjë ndeshje në formacion te Sutjeska dhe në dy sezonet e fundit është alternuar mes divizionit të parë e atij të dytë në Malin e Zi, pa luajtur asnjëherë titullar në elitë. Edhe golat janë me pikatore, vetëm 5 të tillë në kategorinë superiore malazeze, në 7 vite karrierë, ku përfshihet edhe një periudhë e shkurtër në Bosnje-Hercegovinë, pa lënë asnjë gjurmë. Më mirë bilanci në kategorinë e dytë malazeze, ku në dy periudha të shkurtra ish-sulmuesi i Malit të Zi U17 ka luajtur rregullisht në dy sezonet e fundit, edhe pse ka shënuar shumë pak gola.