Në pritje të përforcimeve në merkato dhe me ekipin që duhet rindërtuar, Kamza bën një lëvizje të rëndësishme, duke rinovuar kontratën me Igor Çukoviç. Mbrojtësi u kthye një prej lojtarëve më të rëndësishëm në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, kur ekipi siguroi mbijetesën në Kategorinë Superiore.
Malazezi 25-vjeçar qëndron te Kamza, edhe pse në fund të muajit qershor u testua te hungarezët e Honvedit. Çukoviç luajti në miqësoren ndaj Partizanit të Beogradit, e megjithatë u kthye për të vazhduar aventurën në ekipin e periferisë së Tiranës.
Mbrojtësi firmosi rinovimin e kontratës edhe për sezonin e ardhshëm në praninë e drejtorit sportiv, Andi Matraxhiu. Igor Çukoviç pritet të jetë një prej shtyllave të ekipit të Bledar Devollit, pasi në gjashtë muajt e kaluar me Kamzën arriti të plotësonte boshllëkun e lënë nga largimi i kroatit Fushtar.