Një dekadë më parë te Dinamo, sot në finalen e Kupës së Botës, me Kroacinë e vogël. Zllatko Daliç është njeriu i momentit në Kroaci, edhe pse nuk preferon të marrë shumë merita, sepse ka një ekip me yje, duke nisur nga Modriç e Rakitiç.
Ish-mbrojtësi Elvis Sina, në një intervistë për Supersport, pranon se askush nuk e mendonte ndonjëherë se Daliç do të mbërrinte kaq larg, por nga ana tjetër e pranon se metodologjia në stërvitje e Daliçit ishte shumë moderne.
“Nuk e mendoja, por mu bë qejfi shumë, madje prej emërimit te Kroacia. Futbolli është shumë fat dhe Daliç e ka fatin në krahun e tij. Nuk është pak që të luash tre ndeshje në shtesa, nga të cilat dy i fitoi me penallti. Ky është fati, sepse pjesën taktike ai e qan. Edhe pse në Shqipëri erdhi si i panjohur dhe punoi në moshë fare të re, të dhënat për aftësitë e tij trajnuese dhe menaxhuese ishin të dukshme.
“Daliç kishte një lloj kërkese të veçantë. Ekipi i Dinamos duhej të bënte presing duke filluar nga zona kundërshtare, kur topin e merrte mbrojtësi. Sapo humbnim topin, presingu duhej të ishte 5-6 sekonda, si modeli i Barcelonës në vitet e fundit. Kjo më ka bërë përshtypje, sepse edhe pse i ri, ishte njeri me vizion.
“Kontakte? Në momentin që iku në Arabi pata edhe disa herë kontakte me Daliç, por jeta të krijon ndarje. Gjithsesi ruaj respektin maksimal dhe i uroj fat shumë për finalen. Uroj ta marrë trofeun, sepse është diçka shumë e madhe për Kroacinë por edhe për ne si ballkanas”.