Pas shkarkimit të Antonio Kontes, Çelsi pritet që ditën e nesërme të zyrtarizojë në stol Mauricio Sarrin dhe ndihmësin e tij Xhanfranko Zola, teksa më pas do të projektohet edhe merkato e verës, me disa afrime dhe largime.
Zhorzhinjo pritet të zyrtarizohet dhe prezantohet shumë shpejt, teksa operacioni prek thuajse 70 mln euro, duke përfshirë këtu edhe kushtin për lirimin e Sarrit (rreth 5-6 mln euro), por mund të mos jetë i vetmi i Napolit.
Sipas asaj që mëson “Sport Ekspres” (burime pranë futbollistit), Sarri ka një ide fikse: të marrë në Londër Hysajn, pasi e kishte te Empoli dhe e mori te Napoli. Do të ishte diçka e rrallë që një trajner tërheq tre herë pas vetes një lojtar që ka stërvitur…
Por, ka një kleçkë të madhe tani: klauzola prej 50 mln eurosh ka skaduar dhe, duke qenë se Ançeloti e sheh si lojtar titullar fiks shkodranin në projektin teknik, De Laurentis kërkon rreth 60 mln euro dhe nuk kënaqet më me 50 mln. Ndryshe,do të vijë rinovimi me rreth 2 mln euro në sezon për futbollistin e Shqipërisë.