Vetëm pak orë pasi prezantoi mesfushorin brazilian Artur, blerë nga Gremio për 31 milionë euro, Barcelona ka bërë goditjen e radhës, sepse ka zyrtarizuar blerjen e qendërmbrojtësit Klement Lenglet nga Sevilja.
Klubi blaugrana ka paguar klauzolën e prishjes së kontratës që francezi kishte te Sevilja, 35.9 milionë euro, ndërsa është gati një kontratë deri në 30 qershor 2023, me një klauzolë për prishjen e saj prej 300 milionë eurosh.
? Bienvenue @clement_lenglet!
?? Welcome to Barça!
?? #EnjoyLenglet
? #EnjoyBarça pic.twitter.com/NS0IFa7KwJ— FC Barcelona (@FCBarcelona) July 12, 2018
I lindur më 17 korrik 1995, në Bovë të Francës, Lenglet është një prej mbrojtësve më premtues në planet. Me një numër të madh ndeshjesh për ekipet e moshave të Francës, Lenglet vjen pas një sezoni e gjysmë të shkëlqyer në Sevilje, ku udhëhoqi mbrojtjen me elegancë dhe vendosmëri.
Lenglet përdor mirë këmbën e majtë, ka një përdorim të mirë të topit dhe është mjaft i fuqishëm edhe në ajër, duke shënuar disa gola te Sevilja. Megjithatë, Barcelona e blen mbi të gjitha për aftësinë e tij për të përdorur topin dhe për të organizuar lojën, gjë që nuk e bën dot kolumbiani Jerri Mina, i destinuar të largohet, edhe pse vjen nga një Botëror fantastik.
Francezi bashkohet me një mbrojtje mjaft solide e me eksperiencë, që ka në përblërje emra si Zherard Pike, Samuel Umtiti e Tomas Vermaelen.