Në Gjermani e njihnin, ka bërë një sezon spektakolar me Frankfurtin, por këtë verë bota njohu kroatin Ante Rebiç, i cili me Kroacinë e tij ka magjepsur të gjithë, duke shkuar tashmë në finalen e Kupës së Botës.
Tashmë disa nga klubet më të mëdhenj në Europë, Mancester Junajtid, Arsenal, Liverpul e Totenhem, janë vënë në ndjekje të sulmuesin 24-vjeçar, por Rebiç është nën kontratë me Frankfurtin deri në 2021 dhe së pari duhet gjetur marrëveshja mes klubeve.
Së dyti, dhe kjo është edhe më e rëndësishme, Sport Bild raporton se Rebiç nuk dëshiron të shkojë në Angli, sepse shpreson të transferohet nja 400 kilometra më në juglindje. Te Bajerni i Mynihut!
Arsyet janë të thjeshta: atje ka shkuar trajner Niko Kovaç, ai që e mori dhe i dha besim pas disa eksperiencave jo të mira te Lajpcigu e Fiorentina.
Rebiç te Bajerni do ishte një transferim perfekt, të paktën kështu mendon një paraardhës i tij në Mynih, Ivica Oliç.
Tashmë 38 vjeç, Oliç është ndihmëstrajner i Zllatko Daliçit dhe thotë: “Niko Kovaç e ka bërë Ante Rebiçin një futbollist të kompletuar. Ai është një lojtar për Bajernin. Do isha i lumtur të shihja një kroat që të luante te Bajerni me trajner kroat”.
Problemi i vetëm është se Kovaç i ka premtuar Aintrahtit se nuk do t’i marrë asnjë lojtar. Përveç kësaj, nëse Aintrahti e nxjerr në shitje Rebiçin, çmimi do të nisë nga 50 milionë euro dhe duhet parë nëse Bajerni është i gatshëm të futet në ankand.