Partizani do të luajë në raundin e parë kualifikues të Europa Leagues me skuadrën e Mariborit, që në këtë sfidë vjen si favorit i madh. Shorti u tregua i pamëshirshëm me skuadrën e kuqe, pasi i dhuroi një nga kundërshtarët më të fortë të mundshëm në këtë raund. Sllovenët janë një ekip me shumë kualitet, ndaj Partizani do ta ketë shumë të vështirë, diçka që është pranuar dhe nga drejtuesit.
Pavarësisht kësaj “demat” do të luajnë shanset e tyre, pasi në futboll kurrë nuk duhet që të thuash kurrë, ndaj skuadra nga kryeqyteti do të tentojë që të marrë një rezultat sa më pozitiv. Të gjithë e dinë se duhet një ndeshje e kujdeshme dhe pa gabime për të përballuar Mariborin, që pak javë më parë mundi Kukësin në miqësore 4-0. Skuadra nuk mund të thuhet se është aty ku pritej, pasi në sulm ka mangësi, kjo edhe për faktin se Edgar Çani nuk është grumbulluar.
Do të jetë dhe prezantimi i trajnerit Skënder Gega në stolin e “të kuqve”, i cili po ashtu dëshiron që të bëjë një paraqitja sa më të mirë në debutim. Tropojani për të parën herë drejton një skuadër nga Superiorja dhe do të tregojë se mund të bëjë mirë. Ndaj Mariborit, Partizani duhet të bëjë një ndeshje më shumë se perfekte nëse do që të paktën ta shtyjë çështjen e kualifikimit për në ndeshjen e kthimit.