Kamza do të nisë sot përgatitjet për edicionin e ri dhe e bën me një lëvizje befasuese në stol.
Kjo për faktin se sot është prezantuar trajneri i ri, teksa presidenti Naim Qarri ka emëruar Bledar Devollin. Edhe pse fillimisht u njoftua se do të ishte italiani Pietro Vierkovud timonieri i ri i skuadrës, bashkëpunimi është mbyllur pa nisur mirë, për arsye që ende nuk janë komunikuar.
Për Devollin është një rikthim, sepse e drejtoi Kamzën edhe në periudhën janar 2016-mars 2017, duke u larguar çuditshëm kur Kamza po vraponte drejt Superiores. Ndërkaq, Kamza ka prezantuar dhe pjesën tjetër të stafit.
“Bledar Devolli është trajneri i ri i skuadrës. Ndërkohë asistentët e tij do të jenë Jurgen Agolli dhe Eldiano Topi. Bledar Vashaku do të jetë në rolin e trajnerit të portierëve. Stërvitja nis sot në orën 18:00 në kompleksin e kombëtares në Kamzë”, shkruhet në njoftimin e Kamzës.