Luftëtari pa dy yje në debutimin historik në Kupat e Europës. Të enjten më 12 korrik, gjirokastritët do të luajnë ndeshjen e parë në trasfertën në Letoni ndaj Ventspils, ku mungesat e rëndësishme nuk mungojnë.
Mesfushori Eduart Rroca vijon të fazën e rikuperimit dhe nuk do të zbresë në fushë për të parin nga dy duelet e turit të parë kualifikues në Europa League. Megjithë punën e stafit mjekësor, numri 10 i bluzinjve nuk ka arritur të jetë gati në kohë.
Trajneri Millosh Kostiç është dorëzuar dhe e ka përgatitur sfidën pa llogaritur Rrocën. Organizatori pritet të jetë gati vetëm për ndeshjen e kthimit që do të luhet më më 19 korrik në “Elbasan Arena”, aty ku Luftëtari do të synojë kualifikimin në turin e dytë ku e pret dueli me francezët e Bordo.
Një tjetër mungesë e rëndësishme për gjirokastritët do të jetë edhe ajo e Ivan Jakovljeviç. Mbrojtësi 29-vjeçar do të detyrohet të humbasë aventurën europiane të ekipit, pas operacionit në gju. Jakovljeviç pritet të jetë gati vetëm në startin e sezonit të ri, me Luftëtarin që do të synojë të mbetet në nivele të larta dhe të jetë sërish protagonist në Kategorinë Superiore.