Kristiano Ronaldo do të shkojë te Juventusi, tashmë janë të gjithë të sigurt, por pse pikërisht te bardhezinjtë, me kaq shumë klube milionere në qarkullim?
Natyrisht, Juve është një emër i madh, që i jep një super kontratë dhe ka një skuadër që ëndërron Champions League prej shumë vitesh, por ndoshta nuk është vetëm kaq.
Il Mattino në Itali shkruan se Ronaldo vlerëson edhe aspektin fiskal, sepse në Itali taksat janë shumë më të ulëta se në Spanjë. Në bazë të ligjit të aprovuar në vitin 2017, paguhet një taksë fikse prej 100.000 eurosh për të ardhurat e prodhuara jo në Itali. Kjo është bërë për të tërhequr sa më shumë investime e personalitete nga jashtë.
Në këtë mënyrë, me pak fjalë, Ronaldo paguan vetëm 100.000 euro në total për të ardhurat e tij nga reklamat dhe kontratat jashtë Italisë, ndërsa do të paguajë taksa vetëm për pagën e tij te Juventusi, por natyrisht 30 milionë eurot nuk i preken dhe taksat ia paguan Juventusi.
Ndonëse duket se Ronaldo nuk e ka problem të paguajë taksa, nuk duhet harruar se në Spanjë është në gjyq për taksat e papaguara ndër vite për kontratat milionere që ka pasur me sponsorët pa fund.