Nuk ka histori në fushë, por ka jashtë saj! Sepse, me fitoren e thellë 5-0 ndaj Europa FC, skuadra e kryeqytetit të Kosovës, ka siguruar turin e parë kualifikues të Europa League. Pas barazimit 1-1 në Gjibraltar, në ndeshjen e kthimit, në stadiumin “Adem Jashari”, bardheblutë kanë shkatërruar kundërshtarin e tyre duke kaluar turin paraeliminator, pra shkallën e parë.
Heroi i ndeshjes është kapiteni Dallku, me një dopietë fantastike, historike, e cila i ngjan pikërisht përrallës së Liridon Lecit përpara një jave, me Dritën e Gjilanit, ndaj ekipit tjetër nga Gjibraltari, Linkoln Reds, e vlefshme për turin paraeliminator të Champions League…
Ish-mbrojtësi i kombëtares, tashmë 35 vjeç, ka shënuar që në minutën e 9-të të ndeshjes, teksa më pas ishte radha e Mankendas për të dyfishuar. Sërish Dallku do të firmoste për trisin vetëm pas 35 minutash.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka shënuar me Ahmed Januzin, një tjetër ish-kuqezi, teksa “shuplaka” ishte e Mërgim Pefqelit në të 86’.
Tashmë, në turin e parë të Europa League, skuadra kosovare do të gjejë maltezët e Fola Esh, një kundërshtar të paktën jo “gogol” në letër dhe lehtësisht i kalueshëm.