Edinson Kavani dhe dëmtimi i tij mbeten kryefjala e ditës në kampin e Uruguait, që po përgatitet për sfidën kundër Francës të premten.
Sulmuesi i PSG-së ishte heroi në fitoren kundër Portugalisë në turin e shkuar, por një dëmtim në gju e detyroi të zëvendësohej.
Stafi mjekësor uruguaian ka qetësuar të gjithë, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndonjë këputje muskuli, sepse është thjesht një goditje e fortë marrë në këmbë, por gjithsesi sfida e së premtes duket se vjen tepër herët për sulmuesin.
Pamjet e sulmuesit duke çaluar para stërvitjes së djeshme flasin qartë dhe Kavani me shumë gjasa nuk do të jetë në fushë ndaj Francës.
Ndërkaq, në stërvitjen e së martës është dëmtuar edhe Luis Suarez. Sulmuesi i Barcelonës la në mes stërvitjen dhe u largua i ngrysur në fytyrë, por nuk ka ende ndonjë njoftim nga federata uruguaiane nëse bëhet fjalë për dëmtim serioz, apo thjesht kujdes për të mos pasur ndonjë problem më madhor.