Mbrojtja në fokus, Qaqi firmos për Kukësin

Jurgen Zela

Harallamb Qaqi është zyrtarisht pjesë e Kukësit. Edhe pse klubi verilindor ende ende nuk e ka prezantuar si goditjen e katërt, diçka e tillë pritet që të ndodhë sot, sigurisht nëse klubi nuk e shtyn për të hënën. Gazeta ka raportuar më herët se marrëveshja ishte arritur, por ditën e djeshme është konkretizuar gjithçka. Lojtari është paraqitur pranë zyrave të Kukësit dhe ka saktësuar dhe detajet e fundit të kontratës. Më pas ai ka nënshkruar marrëveshjen që e lidh me Kukësin për sezonin 2018-2019, por ka edhe një klauzolë për rinovim edhe për një sezon tjetër. Qaqi ishte një dëshirë e vjetër e Kukësit. Mbrojtësi do të përfitojë në total 25 mijë euro, pa përfshirë këtu bonuset për fitim trofesh apo për ecurinë në Europë. Qaqi ka qenë një nga lojtarët më të spikatur te Laçi, duke qenë një titullar i padiskutueshëm në dy sezonet e fundit.  Në të shkuarën mbrojtësi kryeqytetas ka luajtur dhe me Veronën, Karpin, Barletan dhe Partizanin. Me të kuqtë nuk pati shumë hapësira dhe në verën e vitit 2016 zgjodhi Laçin, që rezultoi një “trampolinë” e mirë. Për të pati edhe oferta të tjera nga jashtë vendit, kryesisht nga Greqia, por do të qëndrojë edhe këtë sezon në Superiore. Problem ishte kryerja e shërbimit ushtarak në vendin fqinj, por që mund ta shlyejë në të ardhmen.

MBROJTJA

Drejtuesit e verilindorëve e kanë theksuar se nuk do të bëjnë revolucion për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi deri më tani ka mbipopullim në portë dhe në mbrojtje. Në krahun e djathtë të prapavijës janë 3 futbollistë më dispozicion të Pakult: Idrizi, Zhderiç dhe Maliqi, ky i fundit i afruar ditë më parë. Nuk përjashtohet mundësia që njëri prej tyre të largohet në përfundim të Kupave të Europës, ose edhe më parë. Drejtori sportiv, Nderim Nexhipi,  ka pohuar se do të diskutojë për çdo lojtar me trajnerin Peter pakult me t’u kthyer nga Austria. Veç krahut të djathtë, tasnimë bëhen disa lojtarë që luftojnë edhe për qendrën e mbrojtjes. Blutë kanë Albi Allën, kapitenin Ylli Shameti, Rustem Hoxhën dhe Qaqin. Me ardhjen e këtij të fundit rritet konkurrenca. Të tre lojtarët që ka Kukësi aktualisht janë në fund të kontratës, ndaj pas Europës do të diskutohet mes palëve nëse do të ketë zgjatje të bashkëpunimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *