Iniesta rrëfen jetën tij: Dua të luaj deri 40 vjeç, por trupi nuk më përgjigjej për të vijuar te Barça

Mesfushori spanjoll ka folur në një intervistë të gjatë për karrierën e tij me Barcelonën, përfaqësuesen “La Roja” dhe të ardhmen pas futbollit

E dielë, 20 maj 2018. Andres Iniesta luan në “Camp Nou” ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Barcelonës kundër Real Sociedadit. 34-vjeçari zëvendësohet në minutën e 82-të, stadiumi “shpërthen”, madje disa tifozë nuk arrijnë të përmbajnë dot as lotët. Ishte fundi i një historie të magjishme që kishte filluar 22 vite më parë. Iniesta nuk mund të ikte në shtëpi, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Mbas mesnate kur shkallët e “Camp Nou” ishin zbrazur ai u ul i vetëm në qendër të fushës së blertë duke reflektuar sesi një djalosh i vogël nga një fshat në afërsi të Albasetes ia doli të kthehej në legjendë për miliona njerëz anë e mbanë botës. “Ishte shumë bukur të ulesha atje në një moment që po e ndaja vetëm unë me fushën, në të cilën kam kaluar emocione të papërshkrueshme. Ishte vetëm unë duke thënë lamtumirë shtëpisë time. Çdo cep i “Camp Nou” për mua përmban një kujtim të veçantë, ishte një ndarje që të dhemb thellë në zemër”.

ARSYET E LARGIMIT

“Në jetën e një futbollisti vjen një moment kur trupi yt nuk të përgjigjet më. Mund të përpiqesh të sforcohesh deri në pikën e fundit, siç bëra unë, por është një luftë nga e cila nuk mund të dalësh fitimtar. Nuk ishte aspak e lehtë të thosha lamtumirë, por e dija se ishte hapi i duhur për të mirën time dhe të Barcelonës, mund ta kisha shtyrë edhe për vitin tjetër, por tani që gjithçka ka mbaruar mendoj se kam bërë mirë”.

KUPA E BOTËS

“Nuk e di nëse do të vazhdoj të luaj më për Spanjën, por ajo çka di me siguri është se ky është Botërori im i fundit. Është një Botëror i veçantë, pasi me shumë mundësi mund të jetë i fundit, jo vetëm për mua, por edhe Mesin e Ronaldon. Është Botërori i katër për të tre ne, gjithsesi ky është “rrethi i jetës”, ne do të ikim e emra të rinj do të marrin vendin tonë”.

FINALJA E 2010-ës

“Ndeshja ndaj Holandës ishte diçka krejt e veçantë. Skuadra po luante shumë mirë, nuk mbaj mend të kem pasur aq shumë kontakte me topin sesa në atë ndeshje. Më kishte pushtuar një ndjenjë e cila më bënte të besonte se mund të dribloja çdo kundërshtar që më dilte përpara”, Iniesta prek më pas dhe dedikimin për shokun e tij, ish-lojtarin e Espanjolit Dani Zharke, i cili kishte ndërruar jetë papritmas një vit më parë pas një infarkti zemre. “Ishte hera e parë dhe e fundit që kam shkruar emrin e dikujt për t’i bërë një dedikim. Nuk kam aftësi parashikuese, por diçka më shtyu natën para finales, që të shkuara emrin e tij në bluzën time”.

GUARDIOLA

“Pep Guardiola ndryshoi, gjithçka ai e çoi futbollin në një stad tjetër evoluimi. Mbas një viti të gjitha skuadrat e mëdha filluan të kopjonin lojën tonë. Ishte diçka shumë e veçantë, imagjino kur një ndër figurat më të veçanta të futbollit si Sir Aleks Ferguson të thotë: Oh Zot, kaq mjafton, tani mund të ndaloni”.

GJATËSIA

“Kur erdha në akademinë e Barcelonës një ndër trajnerët më tha: Ky djalosh nuk duket si një futbollist. Nuk kam qenë kurrë më i shpejti ose më i fortë, por në futboll nuk duhet të jesh një atlet perfekt për të kapur majat. Nuk e kam konsideruar gjatësinë time si një disavantazh. Në fshatin tim të lindjes luaja gjithmonë kundër fëmijëve më të mëdhenj, pasi në një vend me aq pak banorë nuk kishe luksin të luaje vetëm me moshatarët e tu. Me kalimin e ditëve mësova si të përshtatesha dhe të përmirësohesha. Në futboll nuk ka gjë më motivuese se dëshira për të mundur kundërshtarët, pavarësisht diferencave. Çdo kundërshtar më ka bërë më fort, sa më shumë rritej niveli i konkurrencës aq më shumë rritesha unë si futbollist”.

E ARDHMJA

“Futbolli ka qenë jeta ime dhe do të vazhdojë të mbetet edhe pasi të var “këpucët në gozhdë”, ndoshta do të bëhem trajner ose diçka tjetër që është e lidhur ngushtë me këtë sport. Jam 34 vjeç dhe kam firmosur një kontratë për tri vite e gjysmë, por dua ta lë futbollin në moshën 40-vjeçare. Nuk e di nëse do ja dal, por të shohim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *