Shumë trajnerë në Premier Ligë janë ankuar gjatë viteve të fundit për ngjeshjen e kalendarit. Në Angli, skuadrat rivalizojnë në dy kupa, kampionat dhe kompeticionet evropiane. Ngarkesën më të madhe e vuajnë ekipet që marrin pjesë në Evropë. Konte ishte trajneri i parë gjatë sezonit të shkuar që u ankua për kalendarin dhe pas tij, FA-së i dolën kundër edhe Jurgen Klop dhe Zhoze Murinjo.
Pas shumë ankesave, Federata Angleze e Futbollit ka vendosur më në fund që kampionati të ketë pushime dimërore. Ky vendim i FA-së pritet të vendoset në zbatim në sezonin 2019-’20. Si do të funksionojë vendimi i Federatës: Skuadrat do të kenë dy javë pushim, duke filluar në shkurt të 2020-ës. Të tria kategoritë e futbollit në ishull do të kenë të njëjtin kalendar. Raundi i pestë i kupës FA nuk do të zhvillohet në javën e dytë të shkurtit, por në mesjavë.
Edhe ndeshjet që mbyllen në barazim nuk do të luhen sërish, por do të shkojnë në shtesa dhe në penallti. Këto ndryshime janë kërkuar prej kohësh nga skuadrat angleze dhe më në fund, gjithçka duket në rrugën e duhur.
Ndryshimet e FA:
- Pushimi i dimrit do të vihet në zbatim në muajin shkurt të 2020.
- 5 ndeshje do të luhen gjatë një fundjave, 5 të tjerat gjatë fundjavës tjetër.
- Skuadrat do të marrin dy javë pushime (1 shkurt-14 shkurt)
- Këto ndryshime do të prekin të gjitha skuadrat që militojnë në ligat angleze.
- Raundi i pestë i kupës FA nuk do të luhet në fillim të shkurtit, por në mesjavë.
- Nuk do të ketë ndeshje të përsëritura në kupën FA (fituesi do të përcaktohet në kohë shtesë, ose në penallti)