Leonard Trebicka
Skënderbeu e ka filluar merkaton verore, madje mund të thuhet se e ka bërë ‘blerjen’ e parë. Pak javë më parë “Sport Ekspres” zbuloi se Arbnor Fejzullahu ishte në kontakte me Skënderbeun dhe ishte pranë marrëveshjes për transferim në Korçë. Mbrojtësi i krahut të djathtë prej vitesh ka qenë dëshirë e Skënderbeut, madje 2-3 herë tratativat janë prishur në momentin e fundit, por këtë herë gjithçka thuajse është mbyllur. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se presidenti Ardjan Takaj e ka takuar mbrojtësin preshevar dhe biseda ka rezultuar pozitive. Fejzullahu ka pranuar të vishet bardhekuq dhe ky është lajm i mirë. Skënderbeu e ka pasur objektiv kryesor Fejzullahun, por mbrojtësi ka pasur kontratë me të drejtë rinovimi me Partizanin dhe ishin të kuqtë që nuk e lanë të lëvizte 25- vjeçarin. Këtë herë kontrata e mbrojtësit ka përfunduar dhe Fejzullahu është lojtar i lirë, ndaj dhe drejtuesit e klubit bardhekuq janë vënë menjëherë në lëvizje. Ditët në vazhdim pritet që klubi ta prezantojë këtë lojtar si afrimin e parë veror.
FIRMA PEZULL – Pavarësisht se gjithçka është mbyllur edhe Arbnor Fejzullahu mund të konsiderohet bardhekuq, gjithçka varet nga vendimi që do të marrë CAS-i këto ditë. Burime pranë lojtarit kanë saktësuar se, nëse vendimi i CAS-it do të jetë pozitiv për Skënderbeun dhe korçarët do të luajnë në Champions League, atëherë mbrojtësi do të firmosë dhe do të prezantohet zyrtarisht, për të dalë më pas në stërvitje, nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja. Pra, firmën e mban peng për momentin vendimi i CAS-it. Në fakt, këtë “hall” nuk e ka vetëm Fejzullahu, që do të jetë goditja e parë verore, por të gjithë te Skënderbeu. Fejzullahu po pret që Skënderbeu të luajë në Champions League dhe të bashkohet me të. Përveç Partizanit, futbollisti kosovar ka luajtur edhe me Besën në kampionatin shqiptar.
TË TJERËT – Nuk është vetëm Fejzullahu lojtari, me të cilin korçarët e kanë mbyllur marrëveshjen. Janë disa emra që qarkullojnë në klubin bardhekuq si përforcime në merkaton verore, pasi ka një akord paraprak mes tyre dhe Skënderbeut. Por të gjithë do të zbulohen vetëm ditën që do të ketë një vendim pozitiv nga CAS-i. Një emër, për shembull, është portieri Enea Koliçi, i cili pritet të jetë pasardhësi i Orges Shehit. Por nga korçarët nuk do të ketë sigurisht vetëm afrime, do të ketë edhe largime. Janë disa lojtarë, të cilët janë piketuar nga trajneri Ilir Daja për t’u huazuar, ndërsa 2-3 emra mund të largohen nga Skënderbeu. Të gjitha këto lëvizje duan edhe disa orë të zyrtarizohen . Ardhja e Fejzullahut në Korçë do të ishte një lëvizje e madhe për Skënderbeun në merkaton e verës.