Kroati mbush 35 vjeç në tetor, por nuk ka në plan të dorëzohet. Beson se do të luajë edhe një sezon me ekipin korçar
Te Skënderbeu janë disa titullarë, të cilëve u ka përfunduar kontrata me bardhekuqtë, por të gjithë ata janë gati të rinovojnë dhe të vazhdojnë të kontribuojnë për ekipin korçar. Marko Radas, Sabjen Lilaj, Tefik Osmani dhe ndonjë tjetër janë disa nga emrat, që u ka përfunduar kontrata me mbylljen e sezonit. Marko Radas, i cili është lideri i mbrojtjes korçare, në tetor mbush 35 vjeç, por dëshiron të vazhdojë të luajë me Skënderbeun edhe për një sezon tjetër. Kroati po pushon me familjen e tij, si gjithë futbollistët e tjerë. Nga Zagrebi ai ka folur për “Sport Ekspres”, duke theksuar se nuk ndahet lehtë nga Skënderbe: “E kam thënë gjithmonë se në Korçë ndihem si në shtëpinë time, jam gjysmë korçar dhe gjysmë kroat tani. Që në vitin 2011 luaj me fanellën e Skënderbeut dhe gjithmonë jam munduar të jap më të mirën.
Them se e kam justifikuar besimin që më kanë dhënë drejtuesit. Sapo kemi mbyllur një sezon super në të gjitha drejtimet dhe tani jam duke pushuar me familjen time në Kroaci. Pres lajme të mira nga CAS-i, si të gjithë korçarët. Sigurisht që të fitosh kaq shumë trofe me një ekip është nde dhe krenari. Është një sukses i madh i Skënderbeut në futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Tetë sezone dhe 7 trofe për Skënderbeun tregojnë se ne jemi skuadra më e mirë e historisë. E kemi vërtetuar edhe në Europë. Kam fituar me Skënderbeun tituj kampionë, tani fitova dhe Kupën e Shqipërisë, që më mungonte. E plotësuam gjithçka me atë trofe të fituar në finalen me Laçin para pak ditësh. Këtë sukses ia dedikoj grupit të lojtarëve, pasi në këtë dekadë kemi ditur të tregojmë se kush është Skënderbeu. Shpresoj që kjo periudhë e artë të mos mbyllet me kaq, pasi klubi ka një strategji të shkëlqyer”.
CHAMPIONSI – “Nuk e diskutoj që Skënderbeu do të marrë pjesë në Champions League këtë verë. Jemi të bindur se drejtësia do të vihet në vend dhe presim vetëm vendimin, që do të jetë pozitiv, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Jemi të pastër dhe jemi dënuar mbi thashetheme. Të gjithë në Korçë do ta shijojmë edhe këtë verë europiane.”
E ARDHMJA – A do të rinovojë Marko Radas me Skënderbeun? “Do ta mbyll karrierën me Skënderbeun, kjo nuk ka diskutim. Do të jem bardhekuq deri në fund, sepse kam kaluar momentet më të mira me këtë fanellë. Së pari, të fitojmë të drejtën për të luajtur në Champions, pastaj firma është një çështje e mbyllur. Jo vetëm në Champions që do të jem me Skënderbeun, por edhe sezonin e ardhshëm. Shpresoj të jap sërish kontributin tim te Skënderbeu”, – ka përfunduar Radas, duke shuar çdo hamendje për kontratën e re.