Trajneri brazilian do të hedhë në fushë ajkën e skuadrës për të fituar me doemos shpërblimin e FSHF-së
Olsi Avdiaj
E nisi me trofe dhe shpreson ta mbyllë po me trofe, sezonin 2017-2018, Tirana e Kategorisë së Parë. Bardheblutë luajnë sot takimin final në Kategorinë e Parë kundër një Kastrioti që kërkon të jetë ai “mbreti i këtij” sezoni. Në lojë nuk është vetëm trofeu. Dy skuadrat që fituan respektivisht grupet A dhe B luajnë jo vetëm për prestigj, por edhe për të fituar një “thes” me para. Një ndeshje që do të tregojë se cila nga skuadrat është më e mira. Në fakt, Tirana e ka detyrim që të fitojë këtë finale, pasi duhet të tregojë se për të ishte rastësi rënia në Kategorinë e Parë. Jo vetëm kaq, por nga ana tjetër, nëse fiton sot ndaj krutanëve, bardheblutë fitojnë trofeun e tretë të sezonit. Në fillim të sezonit, Tirana fitoi Superkupën me golin e Hoxhallarit, teksa mundi në atë 90 minutësh Kukësit. Para tri ditësh bardheblutë dolën fitues të Kategorisë së Parë, grupi B, dhe sot luajnë për të qenë në krye të Kategorisë së Parë.
Paratë – Tirana duhet të fitojë finalen me Kastriotit, jo vetëm për prestigj, por edhe për para. Fitorja në këtë ndeshje do të thoshte ca miliona më tepër ekipin. Dhe ato 30 milionë lekë të vjetër, fare mirë do të ishin një dorë e mirë për çështjen Muzaka. Para që mund të përdoreshin për të paguar një këst borxhin e Gjergji Muzakës. Nga klubi, vijnë zëra se 107 milionët zor se bëhen bashkë, por të paktën 30 milionët do të bënin shumë punë për një zgjidhje provizore të çështjes, që mund ta kthejë Tiranën në Kategorinë e Parë. Pra Tirana, ka një motiv më shumë për të fituar takimin e sotëm në Elbasan.
Biletat – Tifozët bardheblu do të vendosen në tribunat A3, A4, B4, B5, C1, C2, C3. Është ky vendimi më i fundit i FSHF-së si organizatore e sfidës finale të Kategorisë së Parë. Mësohet gjithashtu se kanë dale në shitje biletat për ndeshjen finale Tirana – Kastrioti, takim që do të luhet sot në stadiumin “Elbasan Arena”. Biletat shiten te biletaria pranë stadiumit “Selman Stërmasi” si dhe te biletaria pranë stadiumit “Elbasan Arena”.
Mungesat – Dy lojtarë do të mungojnë sot në sfidën që Tirana do të luajë me Kastriotin në Krujë. Bëhet fjalë për Majkëll Ngonë dhe Albi Dokën. I pari është operuar në meniskun e gjurit të majtë dhe prej kohësh ka nisur riaftësimin. Doka ka probleme prej kohësh dhe pas riaftësimit të parë, kthimi në fushën e lojës dhe ri-dëmtimi, sërish Doka ka nisur riaftësimin, por humb takimin e fundit të sezonit. Është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi Keneth Muguna. Lojtari me të gjithë gjasat do të jetë në fushën e lojës për disa minuta në finalen e Elbasanit kundër Kastriotit.