Rekordmeni Shehi: Ky titull vlen sa për dy!

 

Portieri veteran është unik për arritjet personale: ka fituar 7 tituj me Skënderbeun. Edhe kalimin në grupet e Europa League e konsideron një titull më vete

Leonard Trebicka

Me Orges Shehin nuk krahasohet askush. Ai ka një rekord absolut në futbollin shqiptar: ka fituar 7 tituj kampion me të njëjtin ekip, me Skënderbeun. Ishte pjesë e këtij ekipi që në momentin kur u hodhën themelet e periudhës së artë dhe është edhe sot, në moshën 40-vjeçare. Sapo ka fituar titullin e 7-të me fanellën bardhëkuqe, si kapiten i ekipit dhe me titullin “Honoris Causa”. Portieri durrsak rrëfen në një intervistë për “Sport Ekspres” emocionet e trofeut të fundit, ecurinë e këtij sezoni, ndonjë “peng” që ka dhe se si do të ndihet kur të shkëputet nga futbolli i luajtur.

– Shehi, urime për titullin kampion!

– Faleminderit! Ta gëzojmë të gjithë bashkë. Ta gëzojë qyteti i Korçës, klubi Skënderbeu, sportdashësit e mrekullueshëm korçarë dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur.

– Si përjetuar këtë titull, që vjen tri javë para mbylljes së kampionatit?

– Ne pamë vetëm ndeshjen tonë. Fituam në Lushnjë dhe më pas në mbrëmje, kur Kukësi nuk fitoi në Durrës, gëzimi ynë ishte legjitim, sepse çdo trofe sjell gëzim të madh kur e fiton.

– Pati ndonjë festë me stafin dhe drejtuesit?

– Ishim të interesuar edhe për Kukësin pas ndeshjes tonë dhe u shpërndamë të gjithë. Unë, bashkë me presidentin Ardjan Takaj, Tefik Osmanin dhe Gjergji Muzakën, e ndoqëm ndeshjen Teuta-Kukësi te lokali i zv/presidentit Arlind Boshku. Gëimi ishte i madh, pasi pamë që Teuta fitoi. E them hapur se bëmë tifo për Teutën.

– Skënderbeu ka 8 tituj në historinë e tij, në 7 nga të cilët ju keni qenë pjesë. Si do ta komentonit këtë rekord personal?

– Është një kënaqësi shumë e madhe që në 8 vite të fitosh 7 tituj me një ekip. Nuk janë pak. Ka pasur lojtarë, të cilët e kanë fituar 6 herë, por me 7 jam vetëm unë. Jam njeriu i rekordit, edhe pse statistikat nuk i di me hollësi dhe zakonisht nuk i shoh. Kënaqësi e jashtëzakonshme në fund të fundit, fryt i një pune shumë të madhe.

– U trembët në Lushnjë, kur rezultati shkoi 2-0 për skuadrën  kundërshtare, çfarë menduat në ato momente?

– Në asnjë moment nuk u trembëm, sepse jemi kampionët. Ishim konfuzë mund të them me veten tonë për atë ndeshje deri afër minutës së 60-të dhe u gjendëm në disavantazhin e 2 golave, por ditëm të reagonim, gjetëm forcë dhe përmbysëm gjithçka në fund.

– Tani që çdo gjë që ka përfunduar, edhe pse kanë mbetur edhe tri javë, si do ta vlerësonit këtë titull?

– E kam thënë edhe më parë: vetëm sa i shtuam trofeut të parë titullin kampion. Për mua, trofeu i parë i sezonit ishte i gjithë shqiptarëve, e kam fjalën për atë paraqitje të shkëlqyer në Europa League, ku shkuam deri në grupe. Sa herë luanim në “Elbasan Arena”, gjithë shqiptarët, kudo ku na ndiqnin, ishin me ne. U futëm në grupe dhe ishim afër kalimit të tyre, duke bërë një paraqitje dinjitoze. Ky ishte trofeu i parë, të dytin sapo e mbyllëm me fitoren në Lushnjë. Shpresojmë që edhe për Kupën të kemi të njëjtin fat dhe ta fitojmë.

– Kemi mësuar që keni sakrifikuar këto javë të fundit, edhe pse nuk jeni 100% gati për shkak dëmtimi. Ja vlejti kjo sakrificë?

– Pas dëmtimit, një lojtar nuk është njësoj si më parë për marrjen e ngarkesës së duhur, por edhe në vrapim, sepse ruhesh nga dëmtimi. Ja ka vlejtur me plot gojë një sakrificë e tillë, pavarësisht se nuk sakrifikova aq shumë sa mund të mendohet.

– Sa urime keni marrë për këtë trofe, që e fitoni si “Doktor Shehi”?

– Urime të panumërta nga të gjithë. Që nga dashamirësit e Skënderbeut dhe futbollit, deri te njerëzit më të thjeshtë. Gjej rastin t’i falënderoj nëpërmjet jush të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në çdo moment.

– Cili ishte urimi më i veçantë për ju?

– Pak rëndësi ka. Nuk e shikoj etike të përmend emra në këtë moment, sepse urimet kanë qenë vërtet të shumta.

– U bë një jetë për ju në futboll. A ndiheni krenar për veten?

Të flasësh për veten është pak e vështirë. E kam filluar sportin që fëmijë dhe u bënë 24 vite në futboll. Titullin e parë e kam fituar me moshat e Teutës dhe më pas kam marrë atë çfarë kam dhënë. Kam marrë vërtet shumë. Do të preferoja që për mua të flasin të tjerët më mirë. Tituj kam fituar plot.

– Po ndonjë peng ju ka mbetur nga kjo karrierë kaq e gjatë?

– Është një karrierë e gjatë dhe sigurisht që ka ndonjë peng. Kam tri herë nënkampion dhe ky mund të jetë një peng, pra që nuk kam dalë kampion edhe në këto raste. Kam pasur edhe humbje në finale kupe. E kam të vështirë të përcaktoj ndonjë “peng” në veçanti.

– Tani ju konsiderojnë një legjendë…

– Pas gjithë këtyre viteve që i kam kushtuar futbollit, ndjehem pak konfuz për të ardhmen, për atë që më pret. Do të më ndryshojë jeta, këtë e di shumë mirë, që nga regjimi, ushqimi, stërvitja në fushë dhe shumë të tjera. Por kjo ditë do të vinte. E rëndësishme është që më gjen të plotësuar me këtë që kam arritur. Nuk jam pishman për asgjë.

– Si do të jetë festa e Skënderbeut dhe veçanërisht e Shehit më 23 maj, kur të ngrini lart trofeun?

– Për festën duhet të pyesni në klub. Për mua është një rekord personal që kam arritur kaq shumë tituj. Jam i pari në projektin e këtij Skënderbeu dhe sot jam i fundit nga ai brez që largohem.

– Ndër këto 8 vite, kur keni fituar 7 tituj, mund të na përzgjidhni mbrojtjen më të fortë të Skënderbeut?

– Mbrojtësit më të fortë? Janë shumë, nuk janë vetëm katër. Përveç mbrojtësve të sotëm, që janë super, do të shtoja Arapin, Gvozdenoviçin, Vrapin, Bicajn. Janë shumë dhe mos më vini në pozitë për të zgjedhur emra.

– Po nga lojtarët e tjerë të kësaj periudhe të artë, cilët do të veçonit?

– Ju them se formacionin më të mirë të karrierës sime do ta zgjedh brenda pak ditësh. Ky formacion do të jetë për gjithë karrierën time, jo vetëm te Skënderbeu. E kam shumë të vështirë një përgjigje për këto pyetje që po më bëni. Në një moment nuk ka asnjë lojtar që ta thotë saktë formacionin më të mirë. Për sulmin do të veçoja Salihin, lojtar që nuk ka nevojë ta vendos unë në formacionin tim më të mirë, e ka vendin vetë. E lëmë me kaq më mirë.

– Për portën nuk ka dyshime, sepse jeni ju rekordmeni?

– Nuk di çfarë të them, sepse ndihem njësoj si më parë. Di të them se kam dhënë maksimumin me fanellën e Skënderbeut, kurse rekordet janë për t’u thyer.

– Po presidenti Takaj, çfarë ju ka thënë për këtë trofe?

– Është një meritë e madhe e të gjithëve, pa diskutim e presidentit Takaj. Të gjithë meritojnë fjalët më të mira.

– Po me trajnerin Daja, si e keni ndarë gëzimin?

– Nuk jam takuar pasi siguruam titullin, sepse të gjithë pas ndeshjes u larguam. Do kemi kohë të festojmë.

– Kanë mbetur edhe tri javë dhe Skënderbeu ka në dorë “fatin e skuadrave të mbijetesës. Kush bie, Vllaznia, Kamza apo Teuta?

– Në këto tre javë mendoj se çdo ekip e ka fatin në këmbët e veta. Ne e arritëm objektivin që kishim. Të jeni të bindur që Skënderbeu nuk bëhet faktor për asnjë ekip që do të bjerë dhe nuk ia uroj këtë asnjë ekipi.

– Trajneri Daja ka deklaruar se do të aktivizojë ne ndeshjet e mbetura lojtarët e stolit. Po ju, do të luani?

– Ky është një veprim shumë i mirë që do të bënte trajneri Ilir Daja. Jam dakord të aktivizohen lojtarët që kanë pasur më pak minuta në këmbë. Personalisht, në këto tri ndeshje do t’ia lë vendin Aldos.

– Kupa mbetet i vetmi objektiv. Fiton Skënderbeu më 27 maj?

– Po, është trofeu i fundit që na ka mbetur për të fituar. Deri më 27 maj kemi kohë për t’u përgatitur dhe do të futemi në fushë vetëm për fitore. Ky trofe na mungon. Kupën e kam peng dhe dua ta fitoj me Skënderbeun.

– Shumë i bindur është Skënderbeu se do të luajë këtë verë në Champions, pavarësisht dënimit të UEFA-s. Pse?

– Këto pyetje janë për drejtuesit, ata mund të përgjigjen më saktë.

– Së fundi, ndonjë moment të veçantë të familjes Shehi në këtë periudhë, mund të na e thoni?

– Familja më ka qëndruar pranë, si në dështime, edhe në sukseset e mia. Janë pjesa më e rëndësishme për mua. Çdo ditë ata jetojnë me mua dhe unë jetoj me ta, edhe pse jemi larg. Janë pjesë e suksesit dhe familja Shehi është shumë e kënaqur për këtë trofe. I falënderoj të gjithë dhe i dedikohem për çdo gjë familjes sime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *