Milani po mbyll një sezon plot zhgënjime, por nesër në mbrëmje ka shansin të bëjë diçka vërtet të bukur, duke fituar kupën e Italisë kundër Juventusit, çka do të regjistronte trofeun e parë për pronarët e rinj dhe kualifikimin për në grupet e Europa League.
Do të jetë finalja e parë edhe për Gatuzon: “Për ne kjo ndeshje vlen si Kupa e Botës. Do të duhet të bëjmë dy lloje ndeshjesh: të mos i lëmë asnjë hapësirë Juves, sepse në aspektin e cilësisë ka lojtarë të jashtëzakonshëm; pastaj do duhet të bëjmë lojën tonë, pa frikë. Nuk duhet të kursehemi dhe duhet të luajmë me guxim. Juve është një skuadër e madhe, por e ka ndonjë difekt. Shpresoj të jetë një ndeshje e bukur dhe të mos bëjmë gabime si në 15 minutat e fundit në Torino”.
Gatuzo analizon sfidën e nesërme: “Kuadrado e Douglas Kosta janë shumë të zotë për të krijuar epërsinë numerike në sulm. Si futbollist isha i çmendur, bëja gjëra të çuditshme, kisha një mënyrë të veçantë për të përgatitur ndeshjet. Tani ndjej mbi vete një presion të tmerrshëm. Ndjej tifozët mbi shpatulla. Kur stërvit relaksohem më shumë se kurrë, shfryj nervat dhe nuk e vras mendjen, ndërsa kur nis përgatitja për ndeshjet nuk më zë më gjumi. Duhet një grup i madh për të fituar trofetë, jo lojtarët fenomenalë, ata nuk i fitojnë kurrë ndeshjet të vetëm”.