Mbledhje urgjente, Takaj: Dua titullin këtë javë!

“Bosi” i korçarëve ka thirrur dje stafin teknik dhe futbollistët në “Tropikal”. Mbledhje me tone të ashpra pas humbjes me Laçin. Presidenti lë afat deri në fundjavë  

Nuk e ka kapërdirë humbjen e fundit në Laç presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili nuk e priste që titulli të vononte kaq shumë. Dje pasdite ai i thirrur në Durrës të gjithë. Në fakt, një pjesë e mirë e lojtarëve ishin kthyer që pas Laçit në “Tropikal”, ndërsa pjesa tjetër, “jabanxhinjtë” dhe stafi teknik, u lajmëruan që të shkonin në Durrës dje pasdite. Presidenti Takaj nuk ka pritur asnjë moment dhe ka zhvilluar këtë mbledhje urgjente me skuadrën e tij, sigurisht për t’u kërkuar llogari futbollistëve. Takimi mësohet se ka zgjatur rreth 60 minuta dhe ka pasur tone të ashpra. Numri 1 i klubit u ka kërkuar llogari deri në një të tijve për paraqitjen në ndeshjen e fundit. Askush nuk e priste, të paktën në takimin e fundit, që Skënderbeu, kur po kryesonte 0-2, të lëshonte në atë mënyrë dhe të përmbysej gjithçka në 3-2. Një humbje, që e ka shtyrë titullin kampion të Skënderbeut. Takaj as që e diskuton se trofeu do të shkojë në Korçë, por e do ta sigurojë sa më parë atë.

AFATI – Po çfarë u tha dje në mbledhje lojtarëve presidenti Takaj? Çfarë premtimi mori ai nga të tijtë? “Sport Ekspres” mëson fjalët e presidentit Takaj dhe qëndrimin e futbollistëve të Skënderbeut. “Nuk duhet të isha sot këtu me ju për këto që po them, por duhet të ishim duke festuar titullin kampion. Çfarë ishte ajo që ndodhi në Laç, mund të ma thoni? Nga 0-2 për Skënderbeun, në fund 3-2. Është e turpshme, pasi në Korçë presin një orë e më parë titullin kampion dhe ju keni dy ndeshje që humbisni. Si mund t’ia lejoni vetes të ndodhë një gjë e tillë… Keni afat deri në fund të kësaj jave. Nëse titulli nuk sigurohet matematikisht, nuk do të fal asnjërin nga ju. Kemi bërë një kampionat super dhe tani në fund të mos impenjoheni, kjo është e papranueshme. Të mërkurën në Lushnjë nuk diskutohet fitorja, por maksimumi deri në fundjavë titulli duhet të jetë mbyllur. Jam këtu përpara për t’u kërkuar llogari dhe merrini si të doni këto fjalë, por e përsëris: titullin këtë javë e dua të mbyllur”, – ka thënë mes të tjerash para grupit të futbollistëve në mbledhjen e djeshme presidenti Takaj.

Pas tij kanë folur edhe disa prej titullarëve, të cilët kanë premtuar se çështja e titullit kampion do të mbyllet patjetër që këtë javë. Tashmë u mbetet lojtarëve të reagojnë, sepse në të kundërt presidenti Takaj nuk do t’i kursejë gjobat për të tijtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *