Të ngrejë dorën kush mban mend ndeshjen e fundit në Shqipëri ku ka shkuar e ka dalë nga stadiumi i kënaqur, duke thënë me vete: “Ia vlejtën dy orë në stadium, hallall paratë e biletës!“. Dhe nuk janë shumë, nga 2 mijë lek te vjetra deri te 5 mijë, pakkush mund të thotë që nuk ia vlen. Po të ishte futboll i vërtetë dhe i pastër, ama…
Prej shumë vitesh ky futboll është qelbur, vjen erë. Demokracia jonë e dashur hapi kapakun e një pusete mjaft të ndyrë. Trukime nga Superiorja e deri te fshatrat, trukime për miliona, apo edhe për një gol me shumë nga çuni i bosit, apo nga i forti i fshatit. Trukime për baste, trukime për të vendosur kur shkon në Europë, kush bie e kush ngjitet, kush del shënuesi më i mirë…
Per fat të keq, është e gjithë jeta në Shqipëri kështu, nuk është se futbolli përbën problem madhor për ndokënd. Jo rastësisht, shteti në tre dekadat e fundit as e ka parë ndonjëherë sportin me seriozitet, thjesht ndan thelat, cakton ministra e drejtora dhe pastaj që nga zgjedhjet e federatave nis çorba. Futbolli të paktën në këtë drejtim ka dallim, nuk i fut dot hundët shteti, por e keqja është se pavarësia e futbollit është e tepruar. Presidentë klubesh injorantë, që më zor lidhin dy fjalë, nuk dinë të numërojnë tufën e parave që kanë në xhep, rrahin e nuk paguajnë lojtarët, kërcënojnë gazetarët se nuk u pëlqen një kritikë, i luten presidentit të federatës apo atyre poshtë tij që t’i bëjnë nder të vockël, se po mbijetuan do bëjnë ekip si Barcelona…
Po këta presidentë akuzojnë njëri-tjetrin për trukime e korruptim arbitrash. Po këta presidente marrin futbollistë të huaj pa i parë në fushë ndonjëherë, u japin mijëra euro e pastaj i përzënë me rroga mangët, duke përfunduar gjyqeve të FIFA-s. Po këta presidentë votojnë në asamblera pa e ditur për çfarë votojnë, pa e lexuar kurrë rregulloren e futbollit, pa bërë kurrë një propozim.
Federata i toleron, u hedh ndonjë ‘kockë’, lejon të licencohen klube pa financa, pa stadiume e pa fusha stërvitore, pa skuadra të moshave, sepse futbolli dhe votat kështu ecin përpara, paralel.
Po bëjmë një stadium të ri në qendër të Tiranës, por ndërkohë shohim “Elbasan Arenën” që është kthyer në një muze, që hapet vetëm për Kombëtaren, se për Elbasanin hapet vetëm për festa. Shyqyr qe e kemi Kombëtaren, mbulojmë me perde llumin që na ka mbuluar, edhe pse Kombëtarja jonë është fryt i punës së Zvicrës dhe Kosovës, por kjo është temë tjetër.
Thelbi është që futbolli në Shqipëri është në gjendje kome, disa presidentë hedhin para me shpresën se do i nxjerrin dyfish, apo edhe thjesht për të qëndruar si gjeli majë plehut dhe për të vendosur emër. Ndonjë president bën edhe fallxhorin, di rezultatet pa u luajtur, edhe pse nuk e kupton që fjalët e tij veçse hedhin m.. mbi produktin që ai shet çdo javë, ndërsa askush nuk i kërkon llogari ato që nxjerr nga goja.
Pastaj stadiumet janë bosh, televizionet paguajnë paratë kot dhe bërtasin kot me analiza, emocione, debate dhe femra seksi që gjykojnë veshjen e futbollistit në studio. Gazetarët shkruajnë kot, sepse 90% e shkrimeve janë paçavure.
Në Angli, në kategorinë e katërt, një president i një klubi që sapo fitoi kampionatin, tha: “Pas çdo fitoreje u jap 200 sterlina çunave, të shkojnë të hanë ndonjë gjë e të kthejnë ndonjë birrë”. Angli, 100 vite drite larg nesh. A mund të kthehemi te futbolli amator, të luajnë vetëm të rinjtë nja 10 vjet, pa shkuar fare as në Europë? Vetëm keshtu mund të kujtohemi që futbolli luhet për zbavitje, është vetëm një lojë, jo një biznes dallaveresh me aktorë të shëmtuar.
Blerim Jahaj
Realitet i trishte, por i vertete! Personalisht mendoj qe problemet kryesore qe ka nje vend (fshat) si ky i yni, vijne nga qe nuk kemi administrator te sakte. Pra ky cope shtet qe pretendojme se kemi krijuar keto 27 vjet, eshte administruar vetem nga barinj, qe as e kane idene e gjerave ose nuk duan! N.q.s shteti do te mbante pak era shtet, jo vetem futbolli por edhe sportet e tjera do ishin ndryshe. Nuk e di kur do vije ajo dite, por jemi shume te vonuar! 🙁
E vertete qe 90% e gazetareve sportive shkuajne brockulla. Kampion eshte Sinemuti