Kampionati u zbulua nga vetë lojtari, por tashmë të gjithë presim se kush do të jetë skuadra që do të përfaqësojë Sindrit Guri edicionin e ardhshëm në Belgjikë. Siç është raportuar dhe më parë në gazetë në stadiumin “Skënderbeu”, në ndeshjen me korçarët ka pasur plot 8 menaxherë, tre prej të cilëve kanë qenë nga Belgjika. Mbetet për t’u parë kush është skuadra e katërt që është në garë për Gurin. “Sport Ekspres” zbuloi pas ndeshjes tre skuadrat që kishin ardhur për të ndjekur shkodranin, megjithatë tashmë gjëra janë më konkrete, pasi vetë Guri nuk zhgënjeu aspak atë ditë, duke vendosur fatet e takimit me golin e ekzekutuar nga goditja e dënimit. Oostende, Zulte dhe Gent kanë pasur përfaqësuesit e tyre në stadium për ta vëzhguar nga afër “yllin” e Kukësit.
GENT – Mund të jetë një hap i madh për Gurin nëse do të kalojë te Genti. Skuadra e teknikut Vanderhege nuk po bën dhe aq mirë në fazën e sulmit në fazën e “play-off”, vetëm 5 gola të shënuar në 6 ndeshje janë pak dhe që tani kanë nisur që të mendojnë për repartin e sulmit. Tregu shqiptar nuk është i panjohur për skuadrën e Gent, që pak sezone më parë transferoi nga Skënderbeu Piter Olainkën.
ZULTE – Skuadra e Zultes mund të jetë joshur shumë nga paraqitja e një produkti të Superiores sonë si nigeriani Piter Olainka, i cili është huazuar këtë sezon te Zulte nga skuadra e Gent dhe në 30 ndeshjet që është aktivizuar në kampionat ka shënuar 9 gola, duke ka shkëlqyer. Në janar Zulte pati interes për Albi Allën, por siç duket duke ndjekur qendërmbrojtësin kanë spikatur Gurin.
OOSTENDE – Po ashtu edhe Oostende ka pasur përfaqësuesit e saj në Korçë. Siç duket kalim i Abazajt te Anderlehti dhe performancë e mirë e tij në Superiore kanë bërë që vëmendja në Superiore të shtohet. Mbete një pistë e hapur. Enigmë mbetet skuadra e katërt që kërkon shërbimet e Gurit, megjithatë pritet të jetë një garë e fortë për shërbimet e sulmuesit dhe në këtë mes do të fitojë oferta më e lartë si për lojtarin ashtu dhe për Kukësin.