Karim Benzema ka zhvilluar një sezon mediokër, me vetëm 5 gola në kampionat dhe me një ecuri zhgënjyese, duke shënuar vetëm 4 gola në vitin 2018 në të gjitha kompeticionet, deri mbrëmë.
Megjithatë, ndonjëherë kontributi i një futbollisti duhet në pak ndeshje vendimtare dhe Benzema e tregoi plotësisht sa vlen, duke shënuar dy gola vendimtarë për kualifikimin e Realit kundër Bajernit.
Në vendin e duhur në momentin e duhur, francezi shfrytëzoi rastet që pati dhe bëri atë që në krahun tjetër e prisnin nga Robert Levandovski.
Tashmë 30-vjeçari është në një pozicion të çuditshëm, sepse të gjithë e lavdërojnë për paraqitjen e djeshme, aq sa në Spanjë shkojnë deri aty sa të thonë: “Mjafton, Benzema ka shlyer gjithë sezonin me paraqitjen ndaj Bajernit”, por nga ana tjetër e ardhmja e tij në Madrid është e pasigurt.
Revista Don Balon shkruan se Napoli është gati të ofrojë 50 milionë euro, por Reali kërkon 70 milionë për ta lënë të lirë, duke pasur në plan të blejë Herri Kejnin ose Robert Levandovskin.