Futbolli turk historikisht është dominuar nga gjigantët e Stambollit: Gallatasaraj, Fenerbahçe e Beshiktash, me pak bezdisje nga Trabzonspori. Futboll plot pasion, investime gjithnjë në rritje, koreografi të jashtëzakonshme, tifozë të egër, ndonjëherë edhe të dhunshëm.
Gjithçka brenda kornizave, asgjë nuk habit, me përjashtim të fenomenit të ri në Turqi: Istanbul Bashakshehir! Kush është klubi që para pak vitesh ishte i panjohur dhe tashmë kërcënon të fitojë titullin në Turqi?
Është themeluar në vitin 1990, me emrin “Istanbul Büyüksehir Belediyespor”, por prej vitit 2014 quhet “Istanbul Basaksehir Futbol Kulübü”. Me ndërrimin e emrit ka ardhur edhe ndryshimi i madh, në çdo drejtim.
Një klub që ishte pronë e bashkisë dhe që i luante ndeshjet në gjigantin “Ataturk Stadium”, me 80 mijë vende, ndërkohë që të pranishëm ishin më pak se 5000 tifozë për ndeshje. Futboll në heshtje, me përjashtim të tifogrupit “Kukuvajkat jeshile”, që çuditërisht këndojnë kore shumë korrekte politikisht, ndryshe nga gjithë tifogrupet e tjerë. Edhe njerëzit e thjeshtë ankoheshin: pse Istanbul BB mbahet nga taksat e Stambollit, kur kryeqyteti ka plot klube që nuk marrin para nga shteti? Për pasojë, në vitin 2014 kryebashkiaku i ri Kadir Topbash vendosi ta shkrinte si klub, pikërisht në vitin kur Istanbul BB kishte siguruar ngjitjen në Superligë, duke krijuar një hall të madh për Federatën Turke.
Krejt papritur, BUM: më 5 qershor 2014, pa asnjë konferencë për shtyp, u themelua Istanbul Bashakshehiri. Asnjë lidhje me bashkinë, por lidhje me një lagje ende të pandërtuar në perëndim të qytetit, ndërkohë që klubi i ri u bë krejt papritur me një stadium 15-mijë vendësh, supermodern, brenda çdo parametri të UEFA-s.
Në fakt, në Turqi nuk e mori vesh askush çfarë ndodhi, deri në korrik, kur nisi fushata për zgjedhjet presidenciale. I plotfuqishmi Rexhep Tajip Erdogan, presidenti i ardhshëm, hyri në fushë në të sapondërtuarin “Fatih Terim Arena” (po, Fatih Terim që drejton Gallatasarajin, Perandori i famshëm që ka drejtuar edhe Milanin, Fiorentinën e Turqinë).
Mediat në Turqi, që natyrisht nuk kanë guxim të bëjnë investigime të forta, u përqendruan thjesht te goli që shënoi Erdogan kur gjuajti një penallti gjatë inaugurimit, por e harruan revolucionin e heshtur që po niste në Stamboll. Butë-butë, pa shumë vëmendje, Bashakshehiri punësoi trajnerin Abdullah Avxhi, shumë i zoti, me skemën 4-5-1 të preferuar dhe me një disiplinë të fortë taktike dhe me lojtarë si boshnjaku Vishça e portieri Volkan Babaxhan. Që në fillim, synim kualifikimi në Europa League: një pretendim që bëri shumë njerëz të qeshnin, por sezoni 2014/15 ishte një surprizë gjigante, me Bashakshehirin që dhuroi paraqitje të shkëlqyera dhe stadiumi “Fatih Terim Arena” ishte i mbushur, me thuajse 10 mijë tifozë në ndeshjet e mëdha. Kualifikimi në Europa League u arrit, trajneri Avxhi arriti fitoren e tij personale, sepse në kombëtare e hodhën poshtë si leckë.
Sezoni i shkuar ishte një tjetër triumf, duke siguruar kualifikimin për në fazën kualifikuese në Champions League, ndërsa klubi investoi sërish fuqishëm në treg, duke afruar edhe një emër të madh si Emanuel Adebajor.
Tashmë Bashakshehiri nuk është më një eksperiment, as një klub i panjohur dhe i parë me dyshim. Bëhet fjalë për një klub solid, që punon shumë dhe që përtej mbështetjes nga partia në pushtet, nuk po vjedh asgjë në fushë, duke qenë me meritë në garë për titull. Fundjavën e shkuar fitore me përmbysje në në Ankara ndaj Osmanlisporit të Cikalleshit, i cili luajti përballë ish-klubit të vet, por për Bashakshehirin titulli varet nga ndonjë gabim i Gallatasarajit, që fitoi edhe fundjavën e shkuar, në derbin e madh kundër Beshiktashit.
Megjithatë, të qenit në vendin e dytë, një pikë larg kreut me 3 ndeshje të mbetura, është një motiv i madh krenarie për Bashakshehirin, që në fakt nuk e priste të bëhej kaq shpejt pretendent për titull dhe të linte pas gjigantë si Beshiktash e Fenerbahçe. Me një emër si Arda Turan në ekip, edhe tifozët po shtohen, edhe pse Bashakshehiri mbetet larg të mëdhenjve të Stmabollit, në çdo drejtim. Menaxhimi i klubit është i veçantë, me bord me 8 persona, ndërsa kërkohen investime nga Kina, për të rritur klubin, që në fakt është pa asnjë borxh. Kampion apo jo, Bashakshehiri ka treguar rrugën si mund të bëhesh klub i madh: planifikim, punë dhe investime madhore, por që paguajnë në periudhën afatgjatë.