Shalke ka pezulluar Maks Majer deri në mbyllje të sezonit, pasi mesfushori kritikoi drejtuesit e klubit në një intervistë të paautorizuar.
Majer do të largohet në verë, pasi i përfundon kontrata, ndërsa drejtori sportiv Kristian Hajdel e zyrtarizoi divorcin para pak ditësh, duke theksuar se klubi nuk do të thotë asnjë fjalë të keqe për futbollistin, edhe pse ndarja bëhet në mënyrë disi të çuditshme, pasi Shalke humbet falas një ndër talentet më të mëdhenj në Bundesligë.
Me sa duket, dashuria në sipërfaqe paska qenë false, sepse për Bild Majer ka zbuluar se arsyeja e largimit të tij është pikërisht Hajdel, i cili sipas mesfushorit i ka ushtruar presion të vazhdueshëm për të rinovuar.
Shalke ka mohuar gjithçka, ndërsa ka njoftuar se Majer është përjashtuar dhe nuk do të marrë pjesë as në stërvitjen e ekipit të parë.
“Nuk mund ta tolerojmë një sjellje të tillë. Jemi të zhgënjyer nga akuzat e tij, të cilat nuk janë të vërteta. Shalke është treguar gjithnjë korrekte me Majerin dhe nuk i ka kërkuar verën e shkuar që të gjente klub të ri. Trajneri Tedesko i gjeti një rol të ri si mesfushor me tipare mbrojtëse dhe Majer ka luajtur 28 nga 37 ndeshjet e Shalkes këtë sezon, duke qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin”.
Majer është ndër lojtarët më të kërkuar në treg dhe këtë verë do ta zgjedhë vetë destinacionin, ndërkohë që do të jetë pjesë e Gjermanisë në Kupën e Botës.