Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga barazimi ndaj Kamzës. Duhej të ishte fitore, nisi shkëlqyeshëm, por më pas edhe pika u mor me shumë vuajtje e fat.
“Shkuam 2-0 dhe pastaj i dhamë terren një skuadre që ka lojtarë cilësorë. Më vjen keq, sepse lojtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm për situatën ku ndodhen, duhet të marrin përgjegjësi. Kemi punuar shumë në aspektin psikologjik, por në fushë shoh lojtarë pa personalitet. Më vjen keq që shkojmë dy herë në avantazh dhe Kamza vjen e për pak na mund, duke bërë që të dukeshim shumë të vegjël. Ndeshje shumë e çuditshme, jam i zhgënjyer.
“Vllaznia fitoi? Shohim vetëm rezultatet tona, jo të rivalëve. Është e vërtetë që tashmë jemi në situatë të vështirë, por ka edhe 5 ndeshje dhe do të luftojmë deri në fund, nuk ka mbaruar asgjë.
“Përgjegjësia? Së pari është e imja, por natyrisht skuadra nuk mund të menaxhojë aq keq dy gola avantazh. Jemi ankuar për sulmuesin Latif Amadu, por sot ai shënoi dy gola, ndërsa pësuam gola në mënyrë amatore. Lojtarët titullarë e me eksperiencë duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete.
“Dëmtimi i Hërkaç? Është shtylla e mbrojtjes, dihen cilësitë e tij dhe ai i jep siguri skuadrës, ndaj humbëm shumë me dëmtimin e tij. Më pas doli Hakaj dhe aktivizuam Shkallën, por nuk ishte problemi te një apo dy lojtarë të dëmtuar. U treguam skuadër e vogël ndaj Kamzës, ishte gjithë skuadra fajtore dhe nuk ishte thjesht dalja e Hërkaçit ajo që na penalizoi. Luajtëm keq, vuajtëm shumë në mesfushë, humbëm zotërimin e lojës dhe pas barazimit 2-2 skuadra humbi ekuilibrat. Goli i tretë kundërshtar ishte i pafalshëm, askush nuk e mbulonte lojtarin që shënoi”.