Tifozët e Interit kanë qenë protagonistë si në fillim të ndeshjes, ashtu edhe në fund. Kurioze nisma e tyre e veçantë për të mbajtur në 5 minutat e para heshtje totale, në formë solidariteti ndaj “vjedhjeve” dhe dëmeve që kanë pësuar ekipet kundërshtare të Juves gjatë gjithë këtyre viteve. Më pas, super koreografia me Pinokion bardhezi, teksa me hundën e tij mbante trofetë e fituar nga Juventusi, por edhe 7 finalet e Champions të humbura dhe Serinë B.
Sakaq, në shënjestër ka përfunduar edhe Bufon me thirrjet “jo sensibël” (duke kujtuar deklaratat post Madrid ndaj arbitrit Oliver) te pankarta “trukime, klube të falimentuara, diploma e blerë. Çfarë shembulli je ti! Bufon, njeri m…”. Por, i kuqi ndaj Vesinos i ka acaruar teksa kanë nisur thirrjet “hajdutë, hajdutë!”, por edhe “Orsato njeri m…” dhe “dini vetëm të vidhni”.