Lika: Fitore e vuajtur, Abazaj na çudit me golat e tij

Trajneri Hasan Lika për “Supersport” u shpreh i lumtur për suksesin që ishte jo i lehtë. Tekniku i gjirokastriteve, njëkohësisht e pranon se nuk e shohin si objektiv vendin e dytë, edhe pse diferenca me Kukësin është 5 pikë.

“Ka entuziazëm për lojërat dhe rezultatet. Kemi ndeshje shumë të forta që na presin dhe na duhet shumë punë për të arritur objektivin Europë, që tashmë e kemi deklaruar. Ishim përgatitur për një skemë te goli i dytë i Abazajt. Donim të harkonim te shtylla e parë, por si gjithmonë Abazaj të çudit me këto gola dhe ishte i pabesueshëm. Veç Bregut, që stërvitet vazhdimisht, edhe Abazaj ka kohë që stërvitet dhe rezultatet erdhën. Ishte pozicion i çuditshëm. Repertorit të tij i shtohet dhe goli me goditjet standarde dhe kam besim se do të vijojë sërish me këtë ritëm”.

“Ndeshja mund të kishte një rezultat dhe më të thellë, pasi e kapëm kundërshtarin në kundërsulm apo dhe të papërgatitur. Nuk dominuam, sepse Flamurtari pati hapësirat e tij. E kishim përgatitur lojën që të ushtronim presion, por dy golat e shpejtë në një farë mënyre e çoi skuadrën në dëshirën për të fituar duke lënë pas dore disi lojën. Morëm një fitore të vuajtur, pasi kundërshtari zhvilloi një ndeshje të mirë dhe mund të na barazonte. Nuk mundëm që ta mbyllnim ndeshjen me një gol të tretë dhe rrezikuam që të ndëshkoheshim dhe barazonim”.

“Vendin e dytë na e çojnë në mendje të tjerët. Ne kemi luftuar për mbijetesë dhe prej pak javësh synojmë Europën. Vendin e dytë nuk e shoh të pamundur, por është e vështirë me një kundërshtar si Kukësi. Na pret një ndeshje e vështirë dhe do synojmë që t’i kalojmë me sukses deri në fund”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *