Behari ndryshon formacionin, shpresat janë te Bushiç

Trajneri i Flamurtarit pritet t’i besojë sërish Deliajt në mesfushë. Pollozhani kthehet në mbrojtje, ashtu si kapiteni Bushiç në sulm

Elton Nika

Ndryshime të detyruara në formacionin e Flamurtarit për përballjen e nesërme në Gjirokastër. Duke parë mungesat për shkak dëmtimesh dhe kartonësh, stafi teknik i skuadrës vlonjate do të aktivizojë ndaj Luftëtarit një formacion ndryshe nga ai që mposhti Teutën javën e fundit.

FORMACIONI – Mungesat e konfirmuara janë katër: sulmuesit Kamara, Hoxhaj dhe Alvesh, të tre për shkak dëmtimi, por edhe mbrojtësi Veliu për shkak pezullimi nga kartoni i kuq që mori në pjesën e dytë të ndeshjes me Teutën. Trajneri Ardi Behari pritet të aktivizojë në mbrojtje Pollozhanin, i cili e nisi nga stoli ndeshjen e fundit. Lojtari nga Struga, i cili me trajnerin Duro ishte gjithmonë titullar, do të zërë vend në qendër të mbrojtjes, përkrah Bicajt. Kapiteni Bushiç rikthehet nga dëmtimi dhe, siç e ka pohuar edhe vetë, do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Në mbështetje të tij do të jenë Muarem, autor i dy golave ndaj Teutës, dhe Nedeljkoviç. Këto janë ndryshimet në skuadrën vlonjate për transfertën e Gjirokastrës. Pjesa tjetër e skuadrës është po ajo, me Nurkoviçin në portë, Siljanovskin dhe Mustën në krahët e mbrojtjes, si dhe Sidibenë, Deliajn dhe Useinin në mesfushë. Pra, sërish do të jetë titullar i riu Deliaj, i cili me trajnerin e mëparshëm ka pasur shumë pak minuta.

TRENI I FUNDIT – Ndeshja e nesërme që është konsideruar vendimtare për objektivin e Flamurtarit për vetë faktin se kalendari në vazhdim është më e lehtë. Nëse fiton në fushën e Luftëtarit, një rivali direkt, skuadra vlonjate shton ndjeshëm shanset e saj për të shkuar në Europë. Do të kërkohet rezultati pozitiv, me qëllimin për të mos humbur trenin e fundit drejt Europës. Mungesat nuk janë pak, por trajneri Behari beson te ata që do të aktivizohen në këtë ndeshje.  

KALENDARI – Pas Luftëtarit, janë Vllaznia dhe Laçi kundërshtarët e ardhshëm të Flamurtarit. Ndeshjet me dy të fundit do të luhen në Vlorë dhe kjo është një mundësi mjaft e mirë që Flamurtari të marrë maksimumin dhe të shohë Europën, por kuptohet që pika kyçe mbetet Luftëtari. E vetmja sfidë me një skuadër mbijetesë është ajo me Vllazninë, ndërsa dy kundërshtarët e tjerë janë rivalë të drejtpërdrejtë. Nëse fiton në Gjirokastër, natyrisht që ekipi vlonjat do të ketë një moral më të lartë dy ndeshjet në shtëpi. Fitorja me Teutën e ka ngritur nga ana psikologjike grupin e futbollistëve dhe është vlerësuar si pika e kthesës, por duhet vazhdimësi për realizimin e objektivit sezonal. Vendi i tretë nuk është larg, mbahet pikërisht nga Luftëtari, që është kundërshtari i radhës për Flamurtarin. E vështirë të fitosh në Gjirokastër, por jo e pamundur. Pas fitores me Teutën, klima në skuadër është më i mirë.

Formacioni i mundshëm i Flamurtarit

Nurkoviç – Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta –  Deliaj, Sidibe, Useini – Nedeljkoviç, Muarem, Bushiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *