Mbeten edhe 7 javë deri në përfundim, ka ende shumë pikëpyetje, por çdo klub nis të bëjë llogaritë e veta dhe nga Skënderbeu deri te Flamurtari, ka ankth dhe shpresë
Me përcaktimin e finales së Kupës së Shqipërisë, Laçi-Skënderbeu, janë qartësuar disa gjëra në lidhje me llogaritë e Europës, edhe pse shumë pak ka ndryshuar, pasi 4 skuadrat gjysmëfinaliste ishin të gjitha në 6 vendet e para të renditjes. Mbeten edhe 7 javë kampionat, përveç finales së kupës, por askush nuk e di cilat klube do të shkojnë në kupat e Europës për sezonin e ardhshëm, mbi të gjitha për faktin se Skënderbeu është ende pezull, në betejën pa fund me UEFA-n.
Ja gjithë kombinimet e mundshme:
SKËNDERBEU 66 PIKË – Me 12 pikë avantazh nga Kukësi, titulli është praktikisht i korçarëve, sepse duket e pamundur që të mos marrin 9 pikë në 7 ndeshje deri në fund dhe Kukësi t’i fitojë të gjitha. Por, dhe këtu lind dilema e madhe, Skënderbeu ende nuk e ka të qartë a do të marrë pjesë në Champions League këtë verë. Synimi i klubit korçar është apelimi në CAS në fundin e afatit të lejuar, për të çuar te gjyqi me UEFA-n në vjeshtë. Nëse CAS nuk e merr dot përsipër çështjen para qershorit, UEFA është e detyruar të përfshijë në short Skënderbeun, sepse përndryshe futet në një rrugë të rrezikshme dhe që mund ta dëmtojë rëndë edhe financiarisht, nëse Skënderbeu fiton në CAS. Në një situatë të tillë, Skënderbeu do të kërkonte 40-50 milionë euro dëmshpërblim nga UEFA dhe me shumë gjasa do të fitonte. Kjo situatë do të sqarohet në maj, kur UEFA t’i komunikojë FSHF-së vendimin final në lidhje me Skënderbeun.
Rivalët e radhës: Partizani (jashtë), Kukësi (shtëpi), Laçi (j), Lushnja (j), Teuta (sh), Luftëtari (j), Vllaznia (sh)
KUKËSI 54 PIKË – Eliminimi nga kupa detyron Kukësin të mbrojë vendin e dytë me çdo kusht, edhe për faktin se një përjashtim i mundshëm i Skënderbeut vlen kalimin në Champions League. 9 pikë distancë nga Partizani duken shumë, por dy ndeshjet e radhës janë si finale: Laçi dhe Skënderbeu në transfertë! Në rast se nuk merret asnjë pikë në këto dy takime, gjithçka mund të ndërlikohet jashtëzakonisht, duke parë edhe dy transferta në Durrës e Shkodër, por natyrisht duhet parë a do afrohet dot Partizani.
Rivalët e radhës: Laçi (jashtë), Skënderbeu (j), Lushnja (shtëpi), Teuta (j), Luftëtari (sh), Vllaznia (j), Kukësi (sh)
PARTIZANI 45 PIKË – Humbja në Kukës ka qenë shumë tronditëse, por sezoni quhet i shpëtuar nëse ruhet vendi i tretë, që dukej i pamundur në janar. Të paktën kualifikimi në Europa League duket mision lehtësisht i arritshëm, por vendi i dytë mbetet fiksim në mënyrë sekrete, sepse kjo fundjavë vendos shumë. Një fitore e Laçit ndaj Kukësit e bën shumë interesante sfidën e së hënës Partizani-Skënderbeu, me të kuqtë që kanë shansin të rihapin garën për vendin e dytë.
Rivalët e radhës: Skënderbeu (shtëpi), Lushnja (jashtë), Teuta (sh), Luftëtari (j), Vllaznia (sh), Flamurtari (j), Kamza (sh)
LUFTËTARI 44 PIKË – Fitorja ndaj Laçit fundjavën e shkuar i ka dhënë vendin e katërt Luftëtarit, që tashmë thjesht duhet ta ruajë këtë pozicion deri në fund, më e pakta. Siguri për Europën si vend i katërt nuk ka, në të vërtetë, por Luftëtari ka dy shpresa, që lidhen me Skënderbeun: ose korçarët të fitojnë kupën, duke bërë që vendi i katërt të shkojë në Europë, ose që Skënderbeu të mos pranohet në kupat e Europës, duke çuar sërish “ujë te mulliri” i vendit të katërt. Natyrisht, Luftëtari duhet të zgjidhë edhe çështjen “Bojom”, sepse borxhi ndaj tij nuk është paguar dhe çështja ka kaluar në Komisionin e Disiplinës në FIFA. Duke pasur parasysh precedentët, nuk përjashtohet as heqja e 3 pikëve në renditje për gjirokastritët, ashtu si ndodhi me Shkumbinin para pak javësh.
Rivalët e radhës: Vllaznia (jashtë), Flamurtari (shtëpi), Kamza (j), Partizani (sh), Kukësi (j), Skënderbeu (sh), Lushnja (j)
LAÇI 42 PIKË – Tre humbje rresht në kampion ndalën vrullin laçian, por kualifikimi për në finalen e kupës do të rindezë fuqishëm motorët e skuadrës së Gentian Mezanit deri në fund të sezonit, edhe pse lodhja po ndihet. Gjashtë nga 7 ndeshjet e ardhshme janë beteja: Kukësi, Skënderbeu e Teuta në shtëpi, Vllaznia, Flamurtari e Kamza jashtë fushe. Mes tyre, një stërvitje me Lushnjën në Laç, më 13 maj, dy javë para finales së kupës. Shanset për të kapur vendin e katërt ekzistojnë, ashtu si është e pranishme mundësia e zbritjes në vendin e gjashtë, pasi Flamurtari mund të japë shenja jete në vazhdim. Nëse nuk fiton kupën, vendi i pestë në renditje e çon Laçin në Europë vetëm nëse Skënderbeu përjashtohet nga kupat e Europës.
Rivalët e radhës: Kukësi (shtëpi), Vllaznia (jashtë), Skënderbeu (sh), Flamurtari (j), Lushnja (sh), Kamza (j), Teuta (sh)
FLAMURTARI 40 PIKË – Të bësh llogaritë e Flamurtarit për të shkuar në Europë duket si humor, duke parë situatën në kampin vlonjat. Një skuadër e shpërfytyruar, trajneri Duro që është larguar, zona e ftohtë 7 pikë larg dhe një kalendar ferri deri në fund, sepse vlonjatët do të ndeshen me gjithë ekipet, përveç Lushnjës e Skënderbeut, pikërisht dy skuadrat që deri në fund mund të kthehen në fatin e rivalëve, sepse Lushnja është dorëzuar me kohë, ndërsa Skënderbeu nëse siguron titullin shpejt, me shumë gjasa do të mendojë vetëm për finalen e kupës. Gjithsesi, vendi i pestë është ende i arritshëm për vlonjatët, për të shpresuar te një kualifikim në Europë, me kusht që Skënderbeu të fitojë kupën dhe të përjashtohet nga Europa, por nga ana tjetër “shpata e Damokleut” qëndron mbi Flamurtarin: borxhet e vjetra dhe gjyqet e hapura mund ta lënë jashtë Europe, duke parë që edhe Tirana shkoi në Europa League, por nuk është paguar për pjesëmarrjen e vjetshme. Po mbijetesa? Rreziku duket shumë larg, por nëse përsëritet faza e tretë, Flamurtari do të luajë me zjarrin deri në javën e fundit.
Rivalët e radhës: Teuta (shtëpi), Luftëtari (jashtë), Vllaznia (sh), Laçi (sh), Kamza (j), Partizani (sh), Kukësi (j)