Dy seanca në ditë nga trajneri Gjoka, i cili ka menduar të bëjë lëvizje në formacion. Sot pritet të zbardhen emrat e titullarëve, Orelesi “ok”
Gaspër Marku
Java anti-Luftëtari po shfrytëzohet në mënyrën më të mirë në kampin shkodran. Kuqeblutë po punojnë maksimalisht në të gjitha drejtimet për t’u kthyer në rrugën pozitive, që skuadra realisht shfaqi gjatë periudhës së mëparshme. Programi stërvitor i teknikut Gjoka për dje ishte me dy seanca. Ajo e paradites është zhvilluar në palestër, nën kujdesin e zëvendëstrajnerit Fatjon Tafaj dhe përgatitësit atletik Gjergji Poloska. Më pas pushimi i drekës, për t’u zhvendosur në orën 16:30 në fushën sportive “Hasaj”, ku programi ka vijuar kryesisht në punën me topin. Një minutazh prej më shumë se dy orësh, ku dukej qartë karikimi maksimal i gjithë skuadrës për të bërë më të mirën në zbatimin e detyrave të dhëna nga trajneri Gjoka. Në kampin kuqeblu e kanë marrë shumë seriozisht ndeshjen e radhës, sepse duhet të kthehen medoemos te fitorja.
ORELESI OK – Një nga shqetësimet kryesore në fillimin e javës ka qenë një gjendje jo e mirë shëndetësore e nigerianit Nuredin Orelesi. Nga sa bëhet e ditur, pas ndeshjes me Teutën në transfertë, futbollisti po kalonte një gjendje gripale, por gjendja e tij është stabilizuar dhe dje mesfushori është bashkuar me skuadrën. Madje, që në seancën e paradites ka punuar normalisht në palestër me ushtrimet e forcës, ndërsa pasdite është stërvitur rregullisht me topin dhe kjo gjë e ka ngrohur teknikun Gjoka.
NDRYSHIMET – Për sfidën me Luftëtarin pritet që Vllaznia të paraqitet në fushë me ndryshime sa i përket formacionit. Informacionet jo zyrtare që dalin nga skuadra shkodrane kanë krijuar idenë që lëvizja e parë e teknikut Gjoka do të nisë nga prapavija, ku rikthehet Renato Malota në qendër të mbrojtjes, përkrah Sedat Berishës. Lëvizje kjo që e ndihmon teknikun kuqeblu të shtyjë përpara Orelesin për të luajtur në vendin e tij si mesfushor shkatërrues, në krah të Krymit. Një tjetër lëvizje pritet edhe në vijën e parë të sulmit, ku ndryshe nga ndeshja me durrsakët, këtë fundjavë, përballë gjirokastriteve, në vend të Ribajt pritet të aktivizohet Çinari. Ky i fundit, në pjesën më të madhe të kampionatit ka luajtur në krahun e majtë, si mesfushor-sulmues, madje në jo pak raste ka shënuar. Me këto lëvizje, duke shtuar edhe mobilizimin dhe shpirtin e garës që futbollistët i kanë garantuar se do të japin në fushë, tekniku Gjoka synon fitoren ndaj Luftëtarit. Për situatën ku gjendet Vllaznia, vetëm trepikëshi i bën punë. Gjatë seancës së djeshme stërvitore nuk është dhënë të kuptohet se kush mund të jenë emrat e formacionit të parë. Dje ka munguar minutazhi i zakonshëm i lojës në pjesën përmbyllëse të seancës, që zbardh formacionin e ndeshjes së ardhshme. Kështu, për të mësuar konkretisht si mund të vendoset skuadra në fushë ndaj Luftëtarit, duhet pritur ndoshta seanca e sotme.