Duro i dëshpëruar: Ndeshje mediokre, nuk ka nevojë për koment

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ishte natyrisht shumë i zhgënjyer dhe i shqetësuar pas humbjes kundër Skënderbeut, disfatë e rëndë mbi të gjitha për faktin se ndeshja praktikisht mbaroi pa nisur mirë dhe nuk u pa asnjë reagim nga vlonjatët, në asnjë moment. Nëse pas humbjes ndaj Kukësit Duro përmendi largimin, tashmë trajneri i Flamurtarit është i lodhur dhe nuk di më ç’të bëjë për të gjetur rrugëdalje nga kriza.

Start me gol që në minutën e parë.

Jam shumë i ngarkuar dhe nuk kam fjalë për ta analizuar këtë ndeshje. Ta nisësh ndeshjen me dy gola që në fillim, ndaj një rivali si Skënderbeu, është shumë e vështirë që të reagosh. Kur mbaroi pjesa e parë folëm me djemtë për t’i motivuar, por goli i shpejtë sapo nisi pjesa e dytë mbylli çdo gjë dhe ishte shumë e vështirë ta shtynim deri në fund.

Skuadra nuk dha asgjë nga vlerat e saj.

E prisja që të ishte një ndeshje e vështirë, ka kohë që jemi shumë të ngarkuar psikologjikisht për shkak të rezultateve. Mendova se fitorja për kupë do ndryshonte diçka, por nuk rezultoi ashtu. Është një ndeshje që nuk ka nevojë për asnjë lloj komenti.

Kupa, a e shpëton sezonin?

Në këtë moment nuk mendoj as kupën, as trofe e asgjë. Nuk u vetëkonfirmova në Vlorë, bëra atë veprim pas ndeshjes kundër Kukësit duke bërë detyrën në një situatë të vështirë, por zoti Idrizi më konfirmoi. Kundër Kukësit ishte ndeshje tjetër, luajtëm mirë dhe u mundëm në fund, ndërsa sot skuadra ishte totalisht e dorëzuar, edhe si rezultat i dy golave të shpejtë në fillim.

Dobësi në krahun e majtë.

Nuk është problemi te krahu i majtë, skuadra nuk funksionoi në asnjë moment, në asnjë repart.

Goli i parë i Skënderbeut?

Duket pozicion jashtë loje, por e kotë të merremi me të. Po të ishte anuluar, na ndihmonte shumë, mund të ndryshonte ndeshja.

E ardhmja?

Nuk di që të jap ndonjë përgjigje në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *