Ndryshime në sulmin e Kukësit, shansi për Baldenë

Guri mungon për shkak kartonësh, i takon sulmuesit nga Guinea-Bisao për të treguar se sa vlen

Jurgen Zela

Pas barazimit me Laçin, Kukësi nuk ka kohë që të mendojë për Kupën e Shqipërisë, pasi është shumë pranë ndeshja e kampionatit. Vendi i dytë tani mund të vlejë pjesëmarrjen në Champions dhe për skuadrën e drejtuar nga Peter Pakult është shumë e rëndësishme që ky vend të hipotekohet sa më parë. Aktualisht kuksianët e shohin veten 6 pikë para Laçit dhe Partizanit në vendin e dytë, por në lojë janë dhe 9 ndeshje e asgjë nuk mund të konsiderohet e sigurt. Skuadra ka bërë mirë në ndeshjet e fundit në kampionat dhe kërkon që të ketë të njëjtin ritëm pas fitoreve me Vllazninë dhe Flamurtarin. Nuk do të jetë aspak e lehtë me Kamzën, që në tre përballjet e këtij edicioni ka mundur që t’i marrë vetëm 4 pikë, me kamzalinjtë që në fazën e tretë befasuan duke fituar 0-1 në “Zeqir Ymeri” me golin e Ermir Rezit. Tashmë luhet akti i katërt dhe vlen shumë për të dyja skuadrat.

MUNGESA E MADHE

Sindrit Guri do të jetë mungesa e madhe e skuadrës së Kukësit në transfertën e Kamzës. Shkodrani u ndëshkua me karton të verdhë në Vlorë dhe është i detyruar që ta ndjekë ndeshjen e parë të fazës së katërt nga shkallët e tribunës. Një mungesë e madhe, pasi Guri është lojtari më në formë i momentit. Skuadra duket se ka krijuar dhe varësi ndaj tij, pasi është pika e referimit në majën e sulmit. Kjo është ndeshja e parë që Guri nuk do të jetë në fushën e lojës në kampionat dhe është një shqetësim jo pak i vogël se si do të reagojë skuadra pa praninë e 24-vjeçarit në repartin e avancuar.

RASTI I BALDESË

Amido Balde u afrua në ditën e fundit të merkatos së janarit dhe shihet si alternativa e Gurit. “Gjiganti” nga Guina-Bisao nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë kur u afrua, pasi ishte mbi peshë dhe kishte kohë pa luajtur. Edhe pse për një periudhë u “zhduk” nga Kukësi, ai u bashkua me skuadrën dhe gradualisht po e arrin formën e tij më të mirë. Mund të jetë mundësia më e mirë për shtatlartin që të tregojë se sa vlen, pasi me shumë gjasa do t’i besohen atij çelësat e sulmit në përballjen e javës së 28-të. Balde është aktivizuar në 4 ndeshje në kampionat dhe në 2 takime në Kupën e Shqipërisë. Ka pasur minutash të reduktuar për sulmuesin, i cili në total ka luajtur vetëm 75 minuta, megjithatë duke pasur parasysh që në sulm nuk ka shumë alternativa do të jetë shansi për 26-vjeçarin. Balde ka një CV të pasur dhe është aktivizuar me skuadra me emër në Europë, por problemet shëndetësore nuk e kanë lënë që të bëjë para dhe nga Kukësi ai pret që të vijë kthesa e madhe, kthesë kjo që mund të nisë nga Kamza.

MUNDËSITË E TJERA

Pas largimit të Bakajt alternativat në sulm janë të pakta, me Gurin që ka marrë përsipër të jetë “shpëtimtari”. Balde mund të mos jetë ende plotësisht gati për të nisur një ndeshje si titullar dhe sulmi mund të jetë shumë ndryshe nga herët e tjera në takimin me Kamzën. Mundësitë veç Baldesë janë dhe aktivizimi i Lavdrim Ebipit si qendërsulmues. Gjithsesi, edhe autori i golit të fitores në Vlorë ende nuk e ka nisur një ndeshje të plotë, por mbetet si një alternativë. Nuk përjashtohet mundësia që në fushë skuadra të zbresë pa një sulmues të deklaruar dhe me Kalenë, Shkodrën dhe Ethemin apo Ymerajn të bëjnë rokadë herë pas here. E sigurt është që Pakult po e mendon se cila është mundësia më e mirë, por pa Gurin llogaritë duhen bërë me shumë kujdes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *