Korabi është në një moment kritik, jo për rezultatet në fushë, por për problemet jashtë fushe, më konkrektisht problemet financiare, që e mundojnë këtë klub prej disa vitesh.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit skuadra dibrane fitoi me Vllazninë B dhe hodhi një hap të rëndësishëm përpara në renditje, ndërsa fundjavën e shkuar ishte pushim. Për pasojë, nuk ra në sy një çështje që ka plasur, pasi shumë lojtarë nuk kanë pranuar të stërviten.
Shkak është vonesa e klubit për likuidimin e pagave, me lojtarët që nuk paguhen prej 3 muajsh, mëson “Sport Ekspres”.
Shumë lojtarë kanë firmosur në janar dhe tashmë situata ka degraduar, me titullarët që po bojkotojnë stërvitjen, ndërkohë që klubi u premton shlyerjen së shpejti, por nga ana tjetër i kërcënon me gjoba dhe përjashtime.
Deri të shtunën duhet zgjidhur gjithçka, sepse luhet ndeshja e radhës në kampionat dhe 4 pikë distancë nga zona e ftohtë nuk janë asgjë. Nëse Korabit nuk i kthehen titullarët, është e qartë që zbritja në fund do të jetë çështje kohe.