Luftëtari mposhti në miqësore Bylisin me rezultatin minimal 1-0, ndërkohë që tekniku i bluzinjve lëshoi një batutë të fortë
Gëzim Beqiri
Luftëtari dhe Bylisi ishin pushim dhe zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre për t’i mbajtur futbollistët në formë për ndeshjet e kampionatit. Gjirokastritët aktivizuan disa nga lojtarët që kanë pasur pak hapësira. Përpara fillimit të ndeshjes Luftëtari zhvilloi stërvitjen e radhës dhe për këtë qëllim në miqësoren ndaj Bylis u luajt me formacionin e dytë. Pjesa e parë nisi dhe mbaroi me epërsinë e dukshme të skuadrës gjirokastrite. Në këtë pjesë loje u shënua goli i vetëm i ndeshjes nga Donald Rapo, por rasti më i mirë për të shënuar iu dha Mingës në të katërtën minutë. Mesfushori nuk mundi të devijonte topin, edhe pse ishte shumë afër portës së boshatisur. Në pjesën e dytë ballshiotët e zotëruan më shumë lojën dhe krijuan raste shënimi me Buzin, Zisin e Kolgegën. Pavarësisht se ishte ndeshje miqësore, të dy ekipet bënë një paraqitje të mirë dhe kjo u pranua edhe nga trajnerët e skuadrave, Hasan Lika dhe Dritan Sadedini.
BATUTA
Në minutën e të 22-të Minga i Luftëtarit u pengua dukshëm vetëm dy metra larg portës, por nuk i akordohet penallti, ndoshta duke qenë se ishte ndeshje miqësore dhe se bluzinjtë e kishin shënuar një gol. Një ndeshje ku nuk ka rëndësi fitorja, por Hasan Lika ngrihet nga pankina dhe me humor shprehet: “Nuk po na japin as tanët penallti. Çfarë kërkojmë nga të tjerët, apo e kemi të ndaluar këtë vit”.
DEKLARATA
Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, pas ndeshje tha: “Shfrytëzuam ditët në dispozicion deri në ndeshjen me Lushnjën. Ishte një ndeshje e vlefshme për të parë më mirë grupin e lojtarëve, sepse është më ndryshe kur ata i teston ndaj një ekipi tjetër. Të gjithë lojtarët që u aktivizuan dhanë maksimumin në fushë. Megjithatë kemi shumë për të korrigjuar kur bëhet fjalë në përmirësimin e elementëve të domosdoshëm në një ndeshje futbolli. Ishte thjeshtë një miqësore, por e vlefshme për ndeshjen e radhës”. Më pas foli edhe homologu i tij nga Vlora, Dritan Sadedini: “Ka pak rëndësi rezultati i ndeshjes. Rëndësi pati për mua si trajner paraqitja e skuadrës. Mendoj dhe besoj se luajtëm mirë ndaj një Luftëtari simpatik. Asnjëherë nuk heqim dorë nga objektivi. E shfrytëzuam këtë miqësore për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e radhës me Tomorin. Të luash me Luftëtarin është kënaqësi, ndaj më duhet të falënderoj vendasit për mikpritjen”.
Luftëtari – Bylis 1-0
Shënues: Rapo 13’
Luftëtari: Ruçi (Athanasopulos 46’), Toledo, Janku, Rapa (Bocaj 46’), Demo, Aurelio, Balla (Puci 46’), A. Shkurtaj, Rapo, Minga, Lamçja. Trajner: H. Lika
Bylisi: Xhorxheviç (Dramolli 46’), Shoshi (Buzi 59’), Bello, Samnda, Hoxhaj, Ntepe (Dajlanaj 59’), Kristian, Kullira (Hasanaj 63’), Murataj, Zisi (Kolgega 63’), Mahmutaj. Trajner: D. Sadedini.
Gjyqtarë: R. Shosha , G. Bimi, G. Nora (Gjirokastër)
Kartonë të verdhë: Toledo 17’