Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo ka marrë kritika të forta nga deputetë të parlamentit britanik pas vendimit të tij për të punuar si analist në një televizion rus për takimet e kampionatit botëror këtë verë. Murinjo ka nënshkruar një kontratë milionere prej afro 2 milionë eurosh për të komentuar sfidat e Botërorit për televizionin rus “RT”, i cili mbështetet fuqishëm nga Kremlini.
Por tekniku i “Djajve të kuq” ka marrë kritika të forta, pasi marrëveshja e tij me televizionin rus vjen vetëm pak ditë pas sulmit me helm ndaj një ish-spiuni në Salsbëri. Deputeti i parlamentit britanik Kris Briant duke folur për mediat britanike ka thënë: “Sipas meje, këto janë para të pista të paguara drejtpërdrejt nga qeveria ruse”. Televizioni “RT” ndryshe i njohur si “Russia Today” është akuzuar dhe nga politikanë të tjerë në Francë dhe në SHBA për propagandë pro presidentit Vladimir Putin.