Tre pikë të arta, sidomos për mënyrën si erdhën. Milani ka fituar sot në mbrëmje në Xhenova ndaj Xhenoas me një gol nga Andre Silva në minutën e 94-të, në aksionin e fundit të ndeshjes, me arbitrin që fishkëlleu mbylljen e takimit pas golit.
Një ndeshje e zbehtë, me pak raste për të dyja palët, me Milanin që vuajti për të gjetur shansin e duhur, ndërkohë që u anuluan nga një gol për ekip me anë të VAR-it. Në fund u duk se mbaroi, të dyja skuadrat të pafuqishme për të shënuar, por Xhenaro Gatuzo ‘peshkoi xholin’ në stol, duke futur Andre Silvën.
Në fund, portugezi u kujtua që është sulmues i paguar sa ‘qimet e kokës’ dhe shënoi një gol fantastik me kokë, pas një krosi perfekt nga Suso, një lojtar klasi, ndër të paktët te ky Milan që më shumë fiton me zemër dhe grintën e Gatuzos, sesa me klas dhe ide. Mund të fitonte Xhenoa, rastet i pati në pjesën e dytë, por kur në stol ke Kutrone e Andre Silva, një shans më shumë e ke gjithnjë.
Vendi i katërt tashmë është vetëm 6 pikë larg për Milanin dhe duhet luajtur ende derbi: po sikur Milani ta fitojë edhe atë?