Gani Pema
Tërbuni mbas pesë javësh arriti të fitojë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës kundër Egnatias së vendit të dytë. Falë punës së mirë të bërë nga punëtorët e stadiumit, dje para ndeshjes gjenda e tij ishte e normalizuar dhe takimi u zhvillua, pasi edhe mund të shtyhej. Megjithatë, duhet theksuar se dje skuadra pukjane ka triumfuar, ndërsa Egnatia e dalë nga objektivat dje është dorëzuar në fund dhe ka dalë e mundur.
Fillimisht ka shënuar Baze për miqtë dhe ka barazuar Nimani për skuadrën pukjane. Melani ka qenë shënuesi i radhës për Egnatian duke i çuar shifrat në 1-2, ndërsa pak minuta më vonë, sërish Nimani shënon golin e dytë. Barazohen shifrat në 2-2. Por, ka menduar Gjini me një gol mjaft të bukur duke kaluar edhe mbrojtësit e përgjumur të Egnatias dhe rezultati përfundimtar regjistrohet 3-2!
Një fitore e artë për Tërbunin, sidomos për moralin, por edhe për renditjen, sepse nuk e mbyll i fundit në grupin play-out. Tani e kanë radhën 8 finale, por nëse Tërbuni është ai i djeshmi, me siguri do të mbijetojë, sepse kundër Egnatias u pa skuadra e bukur e fundvitit të shkuar.
TRAJNERËT
Pas ndeshjes trajneri vendas, Kreshnbik Krepi tha: “Jam i kënaqur për fitoren, dominuam ndaj skuadrës mike dhe morëm 3 pikët. Nuk do e diskutojmë në asnjë moment mbijetesën”. Kurse trajneri mik, Vladimir Gjonaj, tha: “Kushtet atmosferike të papërballueshme kanë pasur ndikimin e vet. Një ndeshje e bukur, ne erdhëm për pikë, por Tërbuni e meritoi fitoren”.
Tërbuni – Egnatia 3-2
Shënues: Nimani 34’, 42’, Gjini 66’ / Baze 32’, Melani 36’,
Tërbuni: Mehidri, Rrustemaj, Prendi, Beci, Balaj, Pepa, Hasaj, Mezini, Taku (Hoxha 58’), Gjini (Shaba 88’), Nimani. Trajner: K. Krepi. (Në dispozicion: Rexhepi, Shytani, Blinishta, Zagani, Arkanjo).
Egnatia: Birja, Melani, Vogli, Antony, Baze, Nako, Dosti, Baholli, Selimaj, Okebuku (Gjyla 46’), Rexhepi (Gomez 52’). Trajner: V. Gjonaj. (Në dispozicion: Haremi, Mile, Agbodike)
Gjyqtarë: A. Gjeçi, R. Dobruna, A. Zalla, R. Muska (Tiranë)
Vëzhgues: Servet Bogdani (Durrës)
Delegat: Anastas Buneci (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Hoxhaj 80′ Pepa 88′ Nimani 90′ / Dosti 44′, Selimaj 63′, Baholli 66′