Ndoshta e tepron, po të shohësh renditjen dhe momentin e Lushnjës, por Sulejman Starova e ka marrë shumë seriozisht ndeshjen e nesërme kundër Lushnjës, sepse djeg ende barazimi në Selman Stërmasi në fazën e parë.
“Në qoftë se ka ndeshje delikate, është kjo me Lushnjën, skuadër që në Vlorë luajti mirë dhe pësoi gola në fund. Për fat të keq është duke rënë nga kategoria, por ka marrë pikë apo ka qenë shumë pranë në disa ndeshje, ndaj duhet kujdes i madh. E kemi krahasuar me shprehjen e Spaletit para Beneventos, është sikur po luajmë me Realin e Madridit. Pikët janë shumë të vlefshme, mobilizimi është maksimal, sepse Lushnja ka disa lojtarë cilësorë”, shprehet trajneri i Partizanit para sfidës me lagunarët, ndërkohë që nuk pranon të flasë për arbitrat.
“Kam bërë be se nuk merrem më me gjyqtarët. Do ta bëjnë drejtuesit e klubit. Nëse gjykimi do të ketë ndryshime pozitive, e gjitha skuadra ka besim se mund ta arrijmë objektivin”.
Për Starovën, pikët nuk janë pasqyrë reale e nivelit të Partizanit: “Ka kontradiktë mes lojës dhe pikëve të grumbulluara. Kur bëhet analiza, kuptohet që faktori i jashtëm ka ndikuar. E rëndësishme është që të vazhdojë me këtë rrugë. Me lojërat të mira do të vijnë edhe rezultatet. Do të luftojmë për pjesëmarrjen në Kupat e Europës”.
Mungesat: “Kalari është drejt kthimit në skuadër, Çani jo, nuk është ende gati. Na kthehen disa lojtarë, ndaj nuk kemi probleme në këtë moment”.