Edhe Premier Liga do ketë pushime dimërore

Premier Liga angleze historikisht ka qenë ndryshe nga kampionatet e tjerë të Europës, por pak nga pak po përshtatet dhe po imiton ligat e tjera të mëdha, për të ecur me të njëjtin hap dhe për të ndihmuar edhe kombëtaren angleze që të paraqitet në nivele të larta.

Në Angli gjithnjë janë krenuar me faktin se në ndërrimin e viteve, kur gjithë Europa është pushim, Premier Liga zbret në fushë dhe në pak ditë luhen një numër i madh ndeshjesh, me stadiume të mbushur plot, edhe për Krishtlindje apo në 31 dhjetor e 1 janar.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë ka pasur kritika për këtë kalendar të mbingarkuar, me futbollistët që lodhen tej mase dhe nuk përballojnë dot fundin e sezonit, apo Kupën e Botës ehe Europianin.

Pas shumë debatesh e diskutimesh, është arritur një marrëveshje mes Premier Ligës, Federatës Angleze dhe Ligës së Futbollit: prej sezonit 2019/2020, Premier Liga do të ketë pushime dimërore.

Në dy javët e para të shkurtit asnjë klub nuk do të ketë ndeshje, ndërsa turi i pestë i Kupës FA do të kalojë në mesjavë, duke prishur një traditë historike, sepse luhej gjithnjë në fundjavë. Përveç kësaj, nuk do të ketë më riluajtje ndeshjesh në Kupën FA, sepse në rast barazimi do të kalohet në shtesa, për të evituar ndeshjet shtesë.

Gjithsesi, ligat poshtë Premier Ligës nuk do të bëjnë pushime, sepse kampionatet me 24 skuadra e kanë të pamundur të gjejnë hapësira për pushim, ndërkohë që Liga e Futbollit ka këmbëngulur që gjysmëfinalet e Kupës së Ligës të vazhdojnë të luhen me sistemin vajtje-ardhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *