Lika pa keqardhje: Shpërdoruam shumë, por edhe mund të humbnim

Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, e pranon se kundër Vllaznisë duhej fituar, duke parë rastet e shumta të humbur në fillim të pjesës së dytë, por gjithsesi barazimin e pranon qetësissht, duke pranuar se Vllaznia luajti mirë dhe pati raste, ndërsa Luftëtari vuajti mungesat.

“Nëse humbasim raste, së pari ka meritë skuadra dhe individi, që krijojnë rastet. Pastaj, në futboll shpesh rastet nuk shënohen, për fat të keq. Nuk shënuam dot dhe rrezikuam edhe ta humbnim ndeshjen, sepse në fund Vllaznia pati disa raste të mira.

“Barazimi? Është rezultat pozitiv, edhe pse luanim në shtëpi dhe natyrisht dëshironim patjetër ta fitonim ndeshjen. Megjithatë, Vllaznia është një skuadër e fortë, është përforcuar ndjeshëm pas merkatos së janarit. Dua të falënderoj djemtë, dhanë gjithçka, duke kompensuar edhe mungesat e rëndësishme, që ishin 4 të tilla. Disa lojtarë luajtën jashtë pozicioni dhe bënë gjithçka mirë. Krijuam lojë e raste, por nëse nuk shënon, nuk fiton dot.

“Abazaj? Shënon gjithnjë, shpesh gola të bukur, por ndoshta duhej të ishte pak më i qetë para porte, ai dhe të tjerët. Besoj se me kalimin e kohës do t’i rregullojmë këto probleme.

“Luhatjet në lojë dhe rastet e shumta të munguara? E vërtetë, në pjesën e parë nuk ishim aty ku duhej, por nuk duhet harruar që kishim shumë mungesa. Pas pushimit bëmë një ndryshim të madh, edhe cilësor, me Bregun që u përmirësua ndjeshëm, por edhe Abazaj, ndaj pjesa e dytë ishte e kënaqshme. Natyrisht, duhet të përmirësohen dhe të ndihmojmë më shumë sulmuesit, ashtu si ata duhet të marrin përsipër më shumë edhe në organizim.

“Objektivi? Ne duam t’i largohemi sa më shpejt fundit të tabelës, më pas do të shohim realisht ku mund të shkojmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *