Duele të zjarrta në Korçë, brenda e jashtë fushe!

Sot në Korçë do të ketë shumë duele duke filluar nga fusha e blertë, deri te shkallët e stadiumit, por jo vetëm. Por cilat do të jenë duelet e orës 17:00 të cilët do të jenë prezentë sot në Korçë?

TIFOZERITË – Absolutisht që dueli më interesant, më i bukur dhe më karizmatik do të jetë ai në shkallët e stadiumit. “Guerrilsat” sot kanë deklaruar që do të jenë prezentë në Korçë, ndërkohë që nuk dihet akoma a do të lejohet të futen të gjithë në shkallët e stadiumit në tribunën E, pas mosmarrëveshjes që kanë pasur me uniformat blu të cilët u kanë kërkuar kartat e identitetit. Sot përballë do të jenë “ujqërit” që do të jenë zotët e shtëpisë dhe është e garantuar që do të kemi spektakël, ku edhe koreografitë janë lënë surprizë nga të dy tifozëritë. Kush do ja dalë “ujqërit” apo “guerrilsat”? Kjo mbetet për t’u parë.  

PRESIDENTËT – Duel shumë interesant sot do të kemi edhe në tribunën VIP, teksa presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj dhe ai i Partizanit, Gaz Demi do të jenë të dy prezentë në këtë tribunë. Takaj dhe Demi njihen për marrëdhëniet jo fort të mira me njëri-tjetrin dhe edhe sot në tribunë nuk do të jenë në krah, por disi më larg. Në fund të takimit pritet që njëri të buzëqeshë, por cili do të jetë? kjo mbetet për t’u parë.

FUTBOLLISTËT – Në fushën e lojës pa diskutim që dueli më i madh do të jetë mes të dy emrave Skënderbeut dhe Partizanit. Të dy skuadrat kanë shumë lojtarë “ish”-ë në përbërje sidomos Skënderbeu. Kjo përballje e sotme do të jetë e 116-ta mes këtyre dy ekipeve, ndërkohë që Emiljano Vila që sot pritet ta nisë nga stoli, është një “ish” i Partizanit që do të dëshironte shumë që të ishte në fushë. Po ashtu edhe lojtarë të tjerë si Orges Shehi, Marjo Dajsinani, Gjergji Muzaka dhe Tefik Osmani janë të tjerë “ish”-ë që do të kërkojnë fitoren tashmë me fanellën e Skënderbeut. Ndërkohë që te Partizani i vetmi që do të jetë në fushë do të jetë Gerhard Progni, një ish i Skënderbeut, por që tashmë mban fanellën e kuqe. Shumë duele sot në orën 17:00 në Korçë, në këtë superndeshje që askush nuk mund ta humbasë qoftë nga shkallët e stadiumit, apo edhe nëpërmjet ekranit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *