Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, është i fundit që i ka dhënë Flamurtarit një fitore në kampionat kundër Skënderbeut në Korçë, ndërsa mallkimi nuk u thye as sot. Për Veliun, i kthyer në fushë vetëm para pak javësh, pas një dëmtimi serioz, ishte një humbje e pafat.
“Humbje që të dhemb, sidomos për mënyrën si humbëm. Ndeshja po shkonte drejt barazimit, por pësuam një gol që na ka zhgënjyer shumë.
“Së pari, faulli i akorduar në favor të Skënderbeut nuk ishte, nuk ka pasur prekje. Më pas, kur Jashanica goditi topin me kokë dhe pastaj pas shtyllës shkoi te Xhejms, nuk jam i qartë a ishte pozicion i rregullt.
“Në ndeshje të tilla, supozohet që gabimet të jenë sa më të vogla, por duke parë disa gabime në faullet kundër nesh, mendoj se edhe ai ka pjesën e vet të fajit.
“Kampionati është i gjatë, ka edhe shumë ndeshje, do të mundohemi të qëndrojmë sa më pranë Skënderbeut dhe mbi të gjitha të qëndrojmë në zonën evropiane. Të humbësh ndaj Skënderbeut nuk është turp, është një ekip shumë i mirë, por ka ende shumë ndeshje, nuk dorëzohemi”, deklaroi vlonjati në mikrofonin e Supersportit.