Situatë absurde, jashtë çdo logjike ajo që po ndodh në Shkodër, sidomos që kur ka ardhur në drejtim Ernest Gjoka. Trajneri tiranas është vënë nën shënjestrën e gazetarëve në Shkodër, të cilët kush më shumë e kush më pak, e kritikojnë shpesh pa asnjë logjikë, aq sa në disa konferenca për shtyp bëhen edhe pyetje absurde, duke kërkuar llogari pse luan një lojtar dhe nuk luan një tjetër, apo duke e bërë fakt të kryer që disa lojtarë janë mbi peshë, pa harruar zbardhjen e pagave të trajnerit dhe disa lojtarëve.
Është e qartë që në Shkodër ka rryma dhe po luftohet fort Bashkia, që në fakt ka bërë sa ka mundur gjithë këto vite, përtej paaftësisë së saj për të ndërtuar klub modern e fitues.
Ditën e sotme nëpër mediat e faqet shkodrane në ueb e Facebook ka filluar të flitet për largimin e Gjokës, aq sa kanë gjetur edhe pasuesin, duke publikuar emra. Për këtë arsye, sot klubi Vllaznia ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku përgënjeshtron prerë gjithçka dhe akuzon gazetarët për mungesë etike dhe morali.
“Të nderuar gazetarë, ne e kemi të qartë se situata aktuale tek Vllaznia nuk është e mirë dhe po punojmë fort për ta kapërcyer atë. Por ndërkohë, pavarësisht respektit që tregojmë ndaj jush dhe duke vlerësuar kontributin që jepni në dobi të sportit, ajo që po ndeshim ditët e fundit është një dëshirë për të prishur raportet në skuadër apo dezinformuar publikun.
Rasti më i fundit ka qenë ai i ditës së sotme kur flitet, shkruhet e diskutohet për gjoja emra kandidatësh për postin e trajnerit të Vllaznisë. Kjo nuk është aspak etike dhe normale. Sajesa të tilla të turpshme jo vetëm prishin harmoninë në skuadër por edhe ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të saj. Nuk e dimë se cili është qëllimi i vërtetë i këtyre sulmeve dhe kujt i shërbejnë por edhe njëherë ju bëjmë thirrje për pak më shumë seriozitet në punën tuaj.
Shkodranët duhet të jenë krah Vllaznisë dhe jo kundër saj. Ne jemi të vendosur për të mbështetur futbollistët dhe stafin teknik për nxjerrjen e ekipit nga kjo situatë sepse besojmë se i kanë mundësitë dhe aftësitë për ta bërë një gjë të tillë”.