Vijon marshimi i Kastriotit, që duket se ka ndërmend ta mbyllë pa ardhur mirë pranvera diskutimin e ngjitjes në Kategorinë Superiore. Skuadra krutane e luajti sot sfidën kundër Korabit, në Dibër, pasi kërkoi shtyrjen e ndeshjes së planifikuar të shtunën, për shkak se disa lojtarë ishin të sëmurë.
Sot gjithçka shkoi në mënyrë perfekte për kryesuesit e grupit A, sepse sulmuesi Kabiru Dumoje shënoi 20 minuta para fundit dhe Kastrioti fitoi 1-0.
Me këtë fitore, Kastrioti shkon 10 pikë përpara Egnatias, por realisht janë 5 pikë, sepse do të përgjysmohen pas përfundimit të fazës së dytë.
Korabi mbetet i shtati, me 14 pikë, vetëm dy pikë mbi vendin e fundit. Në play-off do të ishte vetëm një pikë larg rënies nga kategoria.