Shkoi me shpresa të mëdha verën e shkuar te Legia e Varshavës, që e bleu për 750 mijë euro nga Zyrihu, por premtimi i Sadikut për të shënuar 20 gola në sezon u harrua shpejt. Ylli i kombëtares sonë zhgënjeu në Poloni, shënoi shumë pak dhe nuk u përshtat, jo dhe aq për faj të tij, sepse shkoi në një skuadër me shumë probleme dhe jo aq të fortë sa mendohej se ishte. Eliminimi nga Champions League ishte një goditje e rëndë dhe më pas presioni mbi Sadikun u rrit gjithnjë e më shumë, derisa klubi vendosi ta spostonte në stol, duke besuar tek i riu Niezgoda. Këtë janar Legia vendosi ta shiste Sadikun, por oferta e madhe erdhi vetëm në ditët e fundit të janarit, me Levanten në La Liga që vendosi të investonte dhe të shpëtonte si Sadikun, ashtu edhe Legian.
Fundi i një martese aspak të lumtur, diçka që edhe pritej, sepse Besnik Hasi vuajti te Legia më parë dhe nuk është se kemi ndonjë traditë të mirë në atë kampionat, kujtoni pak Sebino Plakun, që ende është në luftë ligjore me Slaskun.
Tani që është sistemuar në Spanjë dhe nuk do të kthehet më në Poloni, Sadiku shfryn ndaj Legias, duke folur për mediat polake: “U zhgënjeva që nuk pata më shumë shanse. Të më ulësh mua në stol është si të lësh një Ferrari në garazh. Nuk arrita objektivin tim për sa i përket numrit të golave, por si mund ta bëja kur nuk luaja. Gjithsesi, nuk i vë faj vetes, pasi bëra gjithçka munda dhe punoja mirë në stërvitje. Erdha te Legia pa fazë përgatitore dhe tani besoj se kam punuar mirë në dimër mund të luaj më shumë”.
Gjithsesi, Sadiku siguron se ai nuk kishte në plan të largohej nga kampionët e Polonisë: “Nuk e prisja të ikja. Oferta e Levantes erdhi krejt papritur, mbyllën gjithçka brenda ditës. Jam i lumtur që shkoi kështu. Shpresoj të luaj më shumë se në vjeshtë, por nuk e di a do luaj kundër Realit të shtunën. Iki nga një klub që lufton për titull, te një që lufton për mbijetesë, por nuk kam asnjë keqardhje”.